Të ndodhur përballë shumë pikëpyetjeve të biznesit për ndryshimet në ligjin për “Tatimin mbi të Ardhurat”, administrata tatimore zhvilloi një sesion informues me bizneset, në bashkëpunim me Dhomën Amerikane të Biznesit.
Gjatë trajnimit u trajtuan çështje kyçe si Deklarata e Tatimit në Burim, listëpagesa dhe efekti i Deklaratës së Statusit Personal, ndryshimet ligjore në Deklaratën DIVA 2024, si dhe afati i deklarimit. Po ashtu, u prezantuan risitë dhe zhvillimet që synojnë lehtësimin e procesit të deklarimit dhe vetëpërmbushjes së detyrimeve tatimore nga tatimpaguesit.
Administrata Tatimore do të vijojë informimin dhe ndërgjegjësimin e tatimpaguesve dhe publikut mbi ndryshimet ligjore dhe zbatimin e tyre të saktë brenda afateve të përcaktuara, përmes të gjitha kanaleve të saj të komunikimit.
Nga janari i këtij viti ka ndryshuar deklarata e listëpagesës, në zbatim të ligjit të ri të “Tatimit mbi të Ardhurat”.
Bizneset dhe të punësuarit e tyre, aktualë dhe ata rishtazi, duhet të ndryshojnë deklaratën mbi statusin personal.
Deklarata e Statusit Personal:
Çdo i punësuar ka të drejtën e përfitimit të zbritjes nga vlera e tatueshme e të ardhurave nga paga, të shumave të përcaktuara, sipas pikës 1 të nenit 22 të ligjit të sipërcituar (ligjit për “Tatimit mbi të ardhurat”), vetëm 1 herë gjatë 1 periudhe kalendarike mujore.
Deklarata e statusit personal, sipas nenit 66 të ligjit të mësipërm, duhet të nënshkruhet nga të dyja palët (subjekti tatimpagues dhe i punësuari) përpara fillimit të marrëdhënies së punësimit (para pagesës së parë të të ardhurave të tatueshme të punësimit).
Ndryshimi në listëpagesën e re:
Do të përmbajë një kutizë për deklaratën e statusit personal. Kjo përzgjedhje (check) mundëson që të zbriten nga baza tatimore shumat e përcaktuara në varësi të pagës bruto që kanë. Të gjithë punëdhënësit, punëmarrësit e të cilëve rezultojnë të punësuar vetëm në një punëdhënës (përpara datës 01.01.2025) do ta kenë automatike check box për “statusin personal”, por ata do e mbajnë këtë check vetëm në rast se punëmarrësi dhe punëdhënësi kanë nënshkruar deklaratën e Statusit Personal.
Në rast se një individ është i punësuar në më shumë se një punëdhënës, kutia nuk do të jetë e plotësuar pasi deklarata e statusit personal duhet dhe mund të përzgjidhet vetëm nga njëri prej punëdhënësve, i cili duhet të përcaktohet nga vetë i punësuari.
Risi është se rreth 143 mijë qytetarë shqiptarë të punësuar në një apo më shumë punëdhënës do të duhet të plotësojnë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave, e njohur me emrin DIVA.
Këtë detyrim e ka çdo individ që ka të ardhura në masën 1,2 milionë lekë në vit dhe nuk është i dypunësuar, sikurse edhe çdo person i dy apo më shumë punësuar, pavarësisht të ardhurave.
Individët do të duhet t’i deklarojnë te formulari që njihet me emrin DIVA, që gjendet në faqen e Tatimeve, pasi të jenë regjistruar.
Afati i fundit i deklarimit të DIVA-s është data 31 mars.
Një vit më parë këtë detyrim e kishin vetëm ata që kishin të ardhura vjetore 2 milionë lekë. Këtë vit kufiri është ulur në 1,2 milionë lekë bruto.
Në rast se individët nuk e plotësojnë deklaratën, sipas ligjit, penaliteti nis me 3 mijë lekë dhe më pas aplikohen kamatëvonesa.