Shitja e produkteve te duhanit, cigareve, cigareve elektronike dhe shishave të nargjileve do të jetë e ndaluar për të gjithë personat nën moshën 18 vjeç. Komisioni Parlamentar i shëndetësisë ka diskutuar dhe miratuar nismën e deputetëve Erion Braçe dhe Etilda Gjonaj, e cila synon mbrojtjen e të miturve nga krijimi i varësisë ndaj duhanit dhe cigareve elektronike. Ndryshimet ligjore të propozuara synojnë gjithashtu të ndalojnë reklamimin e tyre direkt dhe indirekt si dhe tregtimin e tyre me ofertë.
Deputeti Erion Braçe ka theksuar se me qëllim zbatimin e kësaj nisme, përgjegjës për këtë duhet të jenë kompanitë e mëdha të distribucionit të këtyre produkteve si dhe supermarketet e mëdha. Nga ana tjetër theksoi se edhe këto produkte duhet të përfshihen në taksim.
Ligji parashikon forcim të sanksioneve administrative për shkelësit e ligjit si dhe ndalimin e reklamimeve dhe sponsorizimeve edhe në kanalet mediatike. Aktualisht, sidomos për produktet e duhanit jo me djegie, si edhe ato në formatin “vape” nuk respektohen ndalesa në reklamim, madje ato i gjen të shpërndara në shumë faqe online. Gjithashtu, stenda reklamuese për këto produkte gjenden të vendosura edhe në supermarkete.
