Qeveria ka miratuar ndryshime të rëndësishme në ligjin për qeverisjen elektronike, të cilat prekin drejtpërdrejt rolin dhe kompetencat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), duke sjellë një ristrukturim të mënyrës se si menaxhohen sistemet dhe shërbimet digjitale në vend.
Ligji i ri, i botuar në Fletoren Zyrtare, vjen në një moment kur AKSHI është përfshirë në disa skandale publike.
Ndryshimi më domethënës është heqja e rolit të centralizuar të AKSHI-t si organ i vetëm për prokurimet në fushën TIK. Konkretisht, shfuqizohet përkufizimi i “organit të blerjes së përqendruar në fushën TIK”, i cili deri më tani organizonte dhe kryente prokurimet për sistemet, pajisjet dhe shërbimet për të gjithë administratën shtetërore.
Në vend të këtij modeli, ligji fut një strukturë të re: “Shoqëria operatore TIK”, një shoqëri aksionere ku shteti zotëron të paktën 51% të aksioneve, e cila do të merret me zhvillimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve dhe infrastrukturave digjitale. Kjo shoqëri mund të krijohet nga vetë AKSHI ose në bashkëpunim me aktorë të tjerë.
Ndryshimet i japin AKSHI-t të drejtën që një pjesë të funksioneve operative si zhvillimi, mirëmbajtja dhe administrimi i sistemeve t’ua delegojë këtyre shoqërive. Madje, me vendim të Këshillit të Ministrave, sisteme apo platforma të tëra mund t’u kalohen në administrim këtyre strukturave, pa kaluar pronësia, e cila mbetet te shteti.
Edhe në ofrimin e shërbimeve, ligji parashikon që AKSHI nuk do të jetë më domosdoshmërisht operatori i vetëm: shërbimet TIK për administratën mund të ofrohen drejtpërdrejt nga AKSHI ose nëpërmjet shoqërive operatore TIK. Po ashtu, një pjesë e detyrave teknike të përcaktuara në ligj mund të realizohen nga këto shoqëri, duke reduktuar rolin ekzekutiv të drejtpërdrejtë të agjencisë.
Po kështu preken edhe kompetencave e AKSHI-t në fushën e prokurimeve. Shfuqizohen dispozitat që i jepnin agjencisë të drejtën për të organizuar dhe kryer prokurime të centralizuara, përfshirë edhe ato me natyrë sensitive apo të klasifikuara. Në vend të kësaj, ligji përcakton se prokurimet do të kryhen sipas legjislacionit të përgjithshëm për prokurimin publik, duke ulur rolin e veçantë të AKSHI-t në këtë drejtim.
Në të njëjtën kohë, bëhen ndryshime edhe në varësinë institucionale të AKSHI-t, duke lënë hapësirë që ajo të jetë jo vetëm në varësi të Kryeministrit, por edhe të ministrit përgjegjës për qeverisjen elektronike, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave.
Megjithatë, ligji thekson se, pavarësisht delegimit të funksioneve, kompetencat rregullatore, përgjegjësia institucionale dhe pronësia mbi sistemet, infrastrukturat dhe të dhënat mbeten te shteti dhe administrohen nga AKSHI.
Ndryshimet ligjore në ligjin 42/2023
Pika 21 shfuqizohet.
Kjo pikë parashikonte : 21. “Organi i blerjes së përqendruar në fushën TIK” është autoriteti publik, i cili organizon, kryen prokurimet e qendërzuara dhe lidh kontratat për sistemet, pajisjet software dhe hardware, mirëmbajtjen, si dhe shërbimet e internetit dhe intranetit për tëgjitha institucionet e administratës shtetërore, si dhe organizon prokurimin e përqendruar për pajisjet TIK sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe legjislacionit të posaçëm.
Pas pikës 47 shtohet pika 48 me këtë përmbajtje: “48. “Shoqëri operatore TIK” është shoqëri aksionere, ku shteti zotëron të paktën 51 për qind të aksioneve për zhvillimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve, platformave dhe infrastrukturave të ofrimit të shërbimeve elektronike.”.
Në nenin 23 bëhen këto ndryshime dhe shtesa: 1. Fjalia e parë, e pikës 1, ndryshohet si më poshtë: “AKSHI është institucion i administratës shtetërore, me statusin e personit juridik publik buxhetor me seli në Tiranë, në varësi të Kryeministrit apo ministrit përgjegjës për qeverisjen elektronike,sipas përcaktimit me vendim të Këshillit të Ministrave.”. 2. Në fund të pikës 1 shtohet fjalia me këtë përmbajtje: “AKSHI mund të themelojë “Shoqëri Operatore TIK” sipas parashikimeve të këtij ligji.”. 3. Në pikën 2 fjala “Kryeministria” hiqet.
Ishte: 23. AKSHI është institucion i administratës shtetërore, me statusin e personit juridik publik buxhetor, në varësi të Kryeministrit, me seli në Tiranë. AKSHI organizohet në nivel qendror dhe e shtrin veprimtarinë e tij për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe është përgjegjës për ofrimin e shërbimeve në fushën e teknologjisë dhe informacionit ndaj personave fizikë dhe juridikë, autoriteteve publike dhe subjekteve private.
Në nenin 24, pas pikës 1 shtohet pika 1/1 me këtë përmbajtje: “1/1. Për ushtrimin e funksioneve operative të zhvillimit, administrimit dhe mirëmbajtjes së sistemeve TIK, AKSHI mund të krijojë, të marrë pjesë ose të bashkëpunojë me shoqëri aksionere ku shteti zotëron të paktën 51 përqind të aksioneve, si dhe t’u kalojë atyre në administrim sisteme, platforma ose infrastruktura TIK dhe/ose t’i ngarkojë për zhvillimin dhe operimin e tyre nga fillimi. Në çdo rast, kompetencat rregullatore, autoriteti publik dhe përgjegjësia institucionale mbeten tek AKSHI.”.
Në nenin 25, pika 1, shkronja “b” ndryshohet si më poshtë: “b) ofron shërbime të përqendruara të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për institucionet dhe organet e administratës shtetërorenën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, si edhe për institucione të tjera publike, me kërkesë të vetë institucionit, drejtpërdrejt ose nëpërmjet shoqërive operatore TIK , sipas legjislacionit në fuqi.”.
Ishte: b) ofron shërbime të përqendruara të TIK-ut për institucionet dhe organet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave. Ky shërbim u ofrohet edhe institucioneve të tjera publike, me kërkesë të vetë institucionit;
Në nenin 26, pas shkronjës “j” shtohet shkronja “k” me këtë përmbajtje: “k) ushtrimi i detyrave të parashikuara në shkronjat “c”, “d”, “dh”, “f” dhe “g” të këtij neni mund të realizohet nga AKSHI, drejtpërdrejt ose nëpërmjet shoqërive operatore TIK në përputhje me këtë ligj. Në çdo rast autoriteti rregullator, përgjegjësia institucionale, si dhe pronësia mbi sistemet, infrastrukturat, kodin burimor dhe të dhënat mbeten te shteti dhe administrohen nga AKSHI.”
Këto pika parashikonin:
c) administron nga ana teknike çdo sistem TIK, që ka si përdorues institucionet apo organet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave në përputhje me këtë ligj. Regjistrat e të dhënave të këtyre institucioneve, që përbëhen nga bazat e të dhënave, mbeten në administrimin e institucioneve respektive;
d) zhvillon, administron dhe mirëmban infrastrukturën qendrore të shërbimeve elektronike apo sistemet TIK;
dh) përgjigjet për ngritjen, mirëmbajtjen e sistemeve e të aplikacioneve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, për infrastrukturën e qendërzuar dhe infrastrukturën TIK përinstitucionet dhe organet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave;
f) zhvillon, administron dhe mirëmban shërbimet elektronike të ofruara përmes platformës qeveritare “e-Albania”; g) zhvillon, administron dhe mirëmban sistemin “e-Rezidenca” për shtetasit e huaj në Republikën e Shqipërisë në ndërveprim me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile;
Pas nenit 26 shtohet neni 26/1 me këtë përmbajtje: “Neni 26/1 Kalimi në administrim i sistemeve dhe infrastrukturave TIK ” Me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të AKSHI-t, sisteme, platforma ose infrastruktura TIK ose pjesë të tyre mund t’u kalohen në administrim shoqërive operatore TIK për qëllime zhvillimi, operimi ose mirëmbajtjeje. Kalimi në administrim nuk sjell transferim të pronësisë mbi këto sisteme dhe infrastruktura.”
Detyra të tjera të Akshit
Në nenin 29 bëhen ndryshimet dhe shtesat si më poshtë:
- Shkronjat “dh”, “e” dhe “ë” shfuqizohen.
Këto pika parashikonin: dh) organizon, kryen prokurimet e qendërzuara dhe lidh kontratat për sistemet, pajisjet software dhe hardware, mirëmbajtjen, si dhe shërbimet e internetit dhe intranetit me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla për të gjitha institucionet e administratës shtetërore në zbatim të legjislacionit të prokurimit publik në fuqi; e) organizon, kryen prokurimet e përqendruara për pajisjet TIK, përfshirë edhe ato të klasifikuara “sekret shtetëror”, për institucionet e administratës shtetërore në përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave në përputhje me legjislacionin në fuqi të prokurimeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë; ë) organizon prokurimin e përqendruar për pajisjet TIK, me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla dhe për institucionet dhe organet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, të cilat jo më vonë se data 30 qershor i dërgojnë kërkesë me shkrim AKSHI-t për nevojat e tyre për projektet dhe pajisjet TIK për vitin pasardhës, ose sipas një afati të mëvonshëm të përcaktuar me udhëzim të drejtorit të përgjithshëm të AKSHI-t;
- Pas shkronjës “h” shtohet shkronja “i” me këtë përmbajtje: “i) i propozon Këshillit të Ministrave kalimin në administrim për qëllim zhvillimi, operimi apo mirëmbajtjeje të infrastrukturës së ofrimit të shërbimeve elektronike tek “Shoqëria Operatore TIK”.
- Pas shkronjës “i” shtohet shkronja “j” me këtë përmbajtje:
“j) procedurat e prokurimit publik, përfshirë ato në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), zhvillohen në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi për prokurimin publik dhe prokurimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.” /ekofin.al
