Ministria e Ekonomisë ka hedhur për konsultim publik projektligjin që sjell ndryshime të rëndësishme në ligjin “Për shërbimet në Republikën e Shqipërisë”.
Sipas projektligjit, çdo ofrues shërbimi i vendosur në një Shtet Anëtar të BE-së ose të Zonës Ekonomike Evropiane (ZEE) fiton të drejtën për të ofruar shërbime në territorin e Shqipërisë pa pasur nevojë për autorizime shtesë, regjistrime ose vendosje fizike në vend.
Projektligji parashikon edhe përjashtime nga kjo liri, në fusha të ndjeshme si shërbimet publike në sektorët e energjisë, ujit, mbetjeve, transportit, etj. profesione të rregulluara si avokatët, noterët, audituesit, apo shërbimet përmbarimore, çështje që lidhen me sigurimet shoqërore, të dhënat personale dhe pronësinë intelektuale.
Ndryshime në tregjet financiare
Por ndryshimet e reja pritet të kenë ndikim të rëndësishëm për tregun dhe investimet, pasi projekligji parashikon se më shumë aktivitete ekonomike do të trajtohen ligjërisht si shërbimet financiare dhe do t’u nënshtrohen rregullave përkatëse.
Shërbimet financiare, sipas përkufizimit të ri ligjor, përfshijnë një gamë të gjerë aktivitetesh ekonomike si shërbimet bankare, kreditimi, sigurimi dhe risigurimi, pensionet private dhe profesionale, letrat me vlerë, fondet e investimeve, pagesat dhe këshillimi financiar. Ato përfshijnë gjithashtu veprimtari të tilla si marrja e depozitave, huadhënia (p.sh. kredi konsumatore e hipotekare), faktoringu, qiratë financiare, tregtimi me instrumente financiare, këshillimi për strukturën e kapitalit dhe bashkimet e shoqërive, menaxhimi i portofolit, si edhe inovacione moderne si paraja elektronike dhe tokenat digjitalë të aseteve, në përputhje me Aneksin 1 të Direktivës 2013/36/BE.
Duke përdorur të njëjtin përkufizim, Shqipëria e bën tregun e saj më të afërt dhe të përafruar me tregun e brendshëm të BE-së, si dhe lehtëson hyrjen e investitorëve të huaj dhe integrimin e institucioneve shqiptare në rrjetet financiare europiane. Gjithashtu kjo do t’u hapë rrugë shumë bizneseve të vogla, veçanërisht start-up -eve si fin-tech.
Ky kapitull i ri synon të lehtësojë qarkullimin e lirë të shërbimeve, një nga katër liritë themelore të tregut të brendshëm të BE-së, dhe të krijojë një klimë më të hapur dhe konkurruese për bizneset dhe profesionistët që operojnë përtej kufijve.
Për bizneset evropiane, këto ndryshime nënkuptojnë më pak barriera administrative, ndërsa për Shqipërinë, përfaqësojnë një hap konkret drejt integrimit evropian dhe standardeve të BE-së në fushën e shërbimeve.
Megjithatë, ekziston klauzola tranzitore që parashikon se një grup nenesh të rëndësishme nuk do të zbatohet menjëherë, por vetëm pas anëtarësimit të plotë dhe të pakushtëzuar të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Këto lidhen me lirinë për ofrimin e shërbimeve ndërkufitare, njohjen automatike të dokumenteve dhe përdorimin e platformave evropiane të bashkëpunimit, duke shmangur zbatimin e njëanshëm të rregullave që kërkojnë reciprocitet mes vendeve anëtare./ekofin.al
