Të gjitha zonat kufitare, përfshirë edhe vetë Shqipëria pritet të përfitojë një nxitje të madhe në infrastrukturë me ndërtimin e autostradës Janinë–Kakavijë me vlerë 310 milionë euro, ndërtimi i së cilës pritet të nisë deri në fund të vitit 2025, sipas medias greke.
Sipas Ministrisë Greke të Infrastrukturës dhe Transportit, projekti 70-kilometërsh, i financuar plotësisht nga Kuadri Kombëtar Strategjik Referues (NSRF/ESPA 2021–2027) me mbështetje të BE-së, do të zgjerojë Ionia Odos drejt veriut deri në pikën kufitare të Kakavisë me Shqipërinë, duke krijuar një korridor të rëndësishëm ndërkufitar.
Duke folur së fundmi për Agjencinë e Lajmeve të Athinës (ANA), Dimitris Anagnopoulos, Sekretar i Përgjithshëm i Infrastrukturës, deklaroi se punimet në terren do të nisin së shpejti, ndërsa përfundimi pritet brenda 4.5 viteve.
“Projekti është teknikisht i vështirë, por do të ofrojë një autostradë moderne që forcon zhvillimin rajonal dhe kombëtar,” theksoi ai.
Autostrada do të lidhë Janinën me Kalpakin dhe fshatrat e Zagorit, përpara se të mbërrijë në Kakavijë, duke bashkuar dy rrjetet kryesore të Greqisë nga perëndimi në veri — Ionia Odos dhe Egnatia Odos — me Shqipërinë.
Planet përfshijnë gjashtë dalje kryesore, rikonstruksion të rrugëve lokale dhe përmirësime të ardhshme në segmentin Kalpaki–Kakavijë.
Punimet përgatitore tashmë kanë nisur: kontraktori është caktuar, studimet gjeoteknike janë në zhvillim dhe rishikimet përfundimtare të projektit si dhe proceset e shpronësimeve po ecin përpara.
Pas përfundimit, autostrada pritet të transformojë lidhjet në veriperëndim të Greqisë, duke lehtësuar lëvizshmërinë, mbështetur rritjen ekonomike të krahinave dikur shqiptare në Greqi, të quajtura Epir dhe forcuar rolin e Greqisë si portë drejt Ballkanit Perëndimor.

