As pandemia dhe as rritja e fundit e çmimeve të lëndëve të para, duket se nuk do ta frenojnë vrullin e ndërtimit, kryesisht në Tiranë.
INSTAT raportoi sot se sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të dhënë në kryeqytet ishte 800 mijë metra katrorë, duke u dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipërfaqja e lejeve të dhëna në kryeqytet vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, është sa gjysma e lejeve të dhëna për gjithë vitin 2021.
Pothuajse të gjitha ndërtimet janë përqendruar në kryeqytet, me sipërfaqen e dhënë në Tiranë, që përbën 77% të totalit të lejeve të dhëna për të gjithë vendin. Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike në kryeqytet, sipas INSTAT është 28.7 miliardë lekë, ose 235 milionë euro. Vitin e kaluar, vlera totale e sipërfaqes së lejeve ishte 57.3 miliardë lekë, ose 470 milionë euro.

Sipas INSTAT, Në tremujorin e parë 2022 janë miratuar gjithsej 397 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 251 leje të miratuara në tremujorin e parë 2021, duke shënuar një rritje prej 58,2 %. Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e parë 2022, është 1.031.088 m2, nga 599.446 m2 miratuar në tremujorin e parë 2021, duke shënuar një rritje prej 72,0 %.
Në tremujorin e parë 2022, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 39,0 miliardë lekë, nga 26,6 miliardë lekë miratuar në tremujorin e parë 2021, duke shënuar një rritje prej 46,7 %.