Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në mbledhjen e tij të radhës miratoi sot tre projektligje të rëndësishme ekonomike.
Komisioni shqyrtoi projektligjin “Për një ndryshim dhe disa shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar”, nismë e deputetit Eduard Shalsi.
Projektligji ishte shqyrtuar dhe miratuar parimisht më herët nga komisioni dhe në mbledhjen e sotme u vijua me shqyrtimin e tij nen për nen dhe në tërësi.
Në nisje të diskutimit Shalsi paraqiti një propozim për përfshirjen në lehtësimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë edhe për objektet sportive.
Sipas projektligjit, taksa e ndikimit në infrastrukturë për strukturat që ndërtohen për funksion bujqësor dhe blegtoral, si dhe për objektet sportive, duhet të jetë jo më shumë se 1% e vlerës së investimit, ndërsa për Bashkinë e Tiranës jo më shumë se 2%.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare të radhës.
Rendi i ditës vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar” dhe projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10 383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
