Nga sot në Shqipëri ndalohet përdorimi i qeseve plastike njëpërdorimshe. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot një video sensibilizuese të fëmijëve për ndotjen e ambientit nga plastika.
“Kush mund ta thotë më bukur se fëmijët që kërkojnë një ndryshim dhe në emër të tyre hapim një faqe të re në raport me mjedisin. Gëzuar 1 qershorin pa qese plastike njëpërdorimshe”, shprehet Kumbaro në rrjetet sociale.
Çdo vit, në Shqipëri përdoren rreth 3.2 miliardë qese plastike apo rreth 26 mijë tonë në vit. Mbetjet e qeseve plastike përfundojnë në ushqimin që hamë dhe ajrin që thithim çdo ditë.
Rreziku mjedisor ka bërë që në dekadën e fundit shumë qeveri në botë të ndërgjegjësohen dhe të reagojnë me shpejtësi.
Në këtë kuadër, qeveria e Shqipërisë ka vendosur që nga data 1 qershor 2022, prodhimi, importi dhe përdorimi i qeseve plastike mbajtëse si dhe e qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme të ndalohet me ligj.
Në Kuvend është miratuar projektligji që parashikon edhe gjoba deri në 1,5 milionë lekë për importuesit, prodhuesit dhe tregtuesit e qeseve plastike.