Bordi i Transparencës ka ulur sërish çmimet e karburanteve në tregun vendas, vetëm një ditë pasi kishte vendosur një rritje të tyre. Në mbledhjen e zhvilluar këtë të enjte, Bordi vendosi që çmimi tavan i shitjes me pakicë për gazoilin të zbresë në 197 lekë për litër, nga 202 lekë që ishte vendosur një ditë më parë, duke reflektuar një ulje prej 5 lekësh për litër.
Edhe benzina pësoi ulje, duke zbritur në 186 lekë për litër, nga 188 lekë që ishte vendosur në mbledhjen e mëparshme të Bordit. Ndërkohë, çmimi i shitjes me shumicë për gazoilin u caktua në 185 lekë/litër, ndërsa për benzinën në 174 lekë/litër.
Sipas njoftimit zyrtar, çmimet e reja hynë në fuqi sot, më 21 maj, në orën 13:00 dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të reflektohen luhatjet e mëtejshme të tregjeve ndërkombëtare.
Lëvizja vjen në një moment kur tregu i karburanteve po përjeton luhatje të forta të çmimeve, të lidhura me zhvillimet në bursat ndërkombëtare të naftës dhe pritshmëritë për kërkesën globale. Vetëm dje, Bordi kishte rritur çmimin e naftës në 202 lekë/litër, ndërsa sot vendosi ta rikthejë sërish nën nivelin e 200 lekëve.
Në njoftim sqarohet gjithashtu se çmimet aktuale mbeten nën kufijtë e përcaktuar në Aktin Normativ nr.1, datë 3 prill 2026, i cili parashikon uljen e akcizës në 80% vetëm në rast se gazoili kalon 220 lekë/litër ose benzina 200 lekë/litër. Për shkak se çmimet aktuale janë më të ulëta se këto pragje, akciza do të vijojë të aplikohet në nivelin e plotë 100%.
Bordi paralajmëroi operatorët e tregtimit të karburanteve për zbatimin rigoroz të vendimit, duke theksuar se çdo shkelje do të shoqërohet me masa deri në pezullim aktiviteti.
