Nafta është ulur me 3 lekë për litër në vendimin më të fundit të Bordit të Transparencës, duke sjellë një lehtësim të lehtë për konsumatorët dhe sektorët që varen nga karburantet. Çmimi i ri tavan për gazoilin është përcaktuar në 198 lekë për litër, nga 201 lekë që ishte në vendimin e mëparshëm.
Sipas njoftimit të publikuar nga Bordi i Transparencës këtë të premte, më 15 maj 2026, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin e standardit SSH EN 590 do të jetë jo më shumë se 198 lekë/litër, ndërsa ai i shitjes me shumicë jo më shumë se 186 lekë/litër.
Ndërkohë, për benzinën standard SSH EN, çmimi maksimal i shitjes me pakicë është vendosur në 185 lekë/litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë në 173 lekë/litër.
Vendimi hyn në fuqi sot, më 15 maj, në orën 13:00 dhe do të jetë i vlefshëm deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të reflektohen ndryshimet e reja të tregut të hidrokarbureve.
Bordi i Transparencës ka paralajmëruar operatorët e tregut për zbatimin e detyrueshëm të çmimeve të përcaktuara, duke theksuar se në rast shkeljesh do të aplikohet pezullim i aktivitetit për subjektet që nuk respektojnë vendimin.
Në reagimin zyrtar, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, nënvizojnë se angazhimi i institucioneve mbetet mbrojtja e interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtja e konkurrencës së ndershme në tregun e karburanteve.
Çfarë ndodh me akcizën
Bordi ka dhënë edhe një sqarim lidhur me nivelin e akcizës që aplikohet për karburantet. Sipas Aktit Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026, reduktimi i akcizës në nivelin 80% zbatohet vetëm kur çmimi i naftës kalon 220 lekë/litër ose benzina 200 lekë/litër.
Duke qenë se çmimet e miratuara aktualisht janë nën këto nivele, për karburantet do të vazhdojë të aplikohet akciza e plotë në masën 100%.
Ulja e fundit e naftës vjen në një kohë kur tregjet ndërkombëtare të hidrokarbureve vijojnë të karakterizohen nga luhatje të vazhdueshme, ndërsa konsumatorët dhe bizneset në vend mbeten të ndjeshëm ndaj çdo ndryshimi të çmimeve të karburanteve.
