Mungesa e fuqisë punëtore apo moskualifikimi i duhur për sektorë të ndryshëm ka drejtuar një pjesë të bizneseve shqiptare të kërkojnë burime njerëzore në shtetet fqinje.
Sipas sondazhit të organizuar nga Barometri i Ballkanit për 2024, bizneset shqiptare renditen të dytët pas Kosovës për interesin e punësimit nga vende të tjera të rajonit.
Më konkretisht, sondazhi tregon se 6% e bizneseve në Shqipëri janë “shumë të prirura” për të kërkuar burime njerëzore nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që 19% janë “disi të prirura”. Raporti tregon gjithashtu se 39% e bizneseve janë “pak të prirur”, përkundrejt 32% të skeptikëve për të konsideruar këtë mundësi.
Në këto rezultate për Shqipërinë dhe rajonin luajnë rol një sërë faktorësh për vendimmarrjen për të kërkuar fuqi punëtore nga jashtë kufijve të tyre, të tilla si pengesat ligjore, kostot operative dhe të jetesës apo mungesa e kualifikimeve të nevojshme dhe njohjes së tregut lokal.
Kosova ka shfaqur interesin më të lartë për të kërkuar forcë punëtore nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, me 9% të bizneseve që janë shumë të prirur dhe 44% që janë disi të prirur. Ndërkohë, vetëm 5% e bizneseve nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut shprehen shumë të optimistë dhe të prirur për të ndjekur këtë strategji. Serbia mban vendin e fundit në sondazh për mundësinë e punësimit nga vende të tjera, ku vetëm 3% e bizneseve janë “shumë të prirur” ndërsa 59% nuk do ta konsideronin si alternativë.
Më herët, gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën e Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024”, Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria do të rriste praninë e saj dhe do të konsideronte fuqi punëtore nga vendet aziatike dhe të Afrikës.
