Shqipëria po ndërmerr një nga reformat më të rëndësishme të viteve të fundit në fushën e tatimeve, duke iu bashkuar nismës globale të OECD-së dhe Bashkimit Evropian për vendosjen e një norme minimale efektive tatimore prej 15% për korporatat e mëdha shumëkombëshe.
Projektligji i ri “Për sigurimin e një niveli minimal global të tatimit për grupet e shoqërive shumëkombëshe dhe grupet e mëdha vendase”, i hartuar në përputhje të plotë me Direktivën e BE-së 2022/2523, synon të mbyllë një nga boshllëqet më të mëdha të sistemit ndërkombëtar të taksimit: zhvendosjen artificiale të fitimeve drejt vendeve me tatime shumë të ulëta ose zero.
Në praktikë, kjo do të thotë se kompanitë shumëkombëshe nuk do të kenë më mundësi të ulin barrën fiskale vetëm duke zhvendosur fitimet në juridiksione me tatim të favorshëm.
Kush preket?
Projektligji nuk prek bizneset shqiptare në përgjithësi dhe as ndërmarrjet e vogla apo të mesme.
Ai zbatohet vetëm për grupet shumëkombëshe dhe grupet e mëdha vendase që regjistrojnë të ardhura të konsoliduara prej të paktën 750 milionë euro në të paktën dy nga katër vitet e fundit fiskale.
Kjo do të thotë se numri i kompanive të prekura në Shqipëri pritet të jetë relativisht i kufizuar, por ato përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të investimeve dhe xhiros në ekonomi.
Çfarë ndryshon konkretisht?
Risia kryesore është vendosja e një tatimi minimal efektiv prej 15%, pavarësisht vendit ku një kompani deklaron fitimet.
Nëse një filial i një grupi shumëkombësh paguan më pak se 15% tatim në një juridiksion, diferenca do të mblidhet përmes mekanizmave të rinj të parashikuar në ligj.
Projektligji ndërton tre instrumente kryesore:
• Rregullin e Përfshirjes së të Ardhurave (RPA), që detyron shoqërinë mëmë të paguajë diferencën e tatimit për filialet e nëntatuara.
• Rregullin për Fitimin e Nëntatuar (RFN), që vendos tatim shtesë kur tatimi nuk është mbledhur në nivelin e shoqërisë mëmë.
• Tatimin e Brendshëm të Kualifikuar Shtesë (TMBKS), i cili i jep Shqipërisë të drejtën të mbledhë vetë diferencën e tatimit për fitimet e realizuara në territorin e saj, në vend që këto të ardhura të përfundojnë në buxhetet e shteteve të tjera.
Ky element konsiderohet ndër risitë më të rëndësishme të projektligjit.
Si do të funksionojë në praktikë?
Nëse një grup shumëkombësh operon në Shqipëri dhe norma efektive e tatimit për aktivitetin e tij rezulton nën 15%, administrata tatimore do të llogarisë diferencën dhe do të kërkojë pagesën e saj sipas rregullave të reja.
Në këtë mënyrë, Shqipëria mbron bazën e saj tatimore dhe shmang situatat kur fitimet e krijuara në vend transferohen drejt juridiksioneve me taksim shumë të ulët.
Projektligji përcakton gjithashtu rregulla të detajuara për identifikimin e grupeve, llogaritjen e normës efektive të tatimit, raportimin dhe deklarimin e informacionit tatimor, duke harmonizuar sistemin shqiptar me standardet ndërkombëtare të OECD-së dhe Bashkimit Evropian.
Cili pritet të jetë efekti?
Ekspertët vlerësojnë se efekti kryesor nuk është rritja e normës së tatimit, por garantimi që korporatat shumëkombëshe të paguajnë një nivel minimal tatimi kudo ku operojnë.
Për Shqipërinë kjo pritet të sjellë disa përfitime duke filluar me rritje të të ardhurave buxhetore nga korporatat e mëdha, mbrojtje të bazës tatimore kombëtare, ulje të praktikave të transferimit artificial të fitimeve, konkurrencë më të ndershme mes kompanive shumëkombëshe dhe bizneseve vendase, si dhe rritje të besueshmërisë së sistemit fiskal shqiptar në procesin e integrimit europian.
Një tjetër efekt i rëndësishëm është shmangia e humbjes së të ardhurave tatimore. Në mungesë të këtij ligji, diferenca deri në normën 15% mund të mblidhej nga shteti ku ndodhet kompania mëmë, ndërsa me futjen e Tatimit të Brendshëm të Kualifikuar Shtesë, këto të ardhura do të mbeten në buxhetin shqiptar./ekofin.al

