Në mënyrë të vazhdueshme shifrat e turizmit janë shoqëruar edhe me debate, që te hyrjet e shtetasve të huaj, raporti mes tyre dhe netë-qëndrimeve, shpenzimet e kryera prej tyre, etj.
Për një rakordim më të mirë të shifrave, Këshilli i Ministrave vendosi që ngritjen e Komitetit për të Dhënat Statistikore në Turizëm si organi koordinues pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, i cili mundëson bashkëpunimin ndërinstitucional për koordinimin dhe integrimin efektiv të të dhënave statistikore, të lidhura me turizmin në nivel qendror dhe vendor.
Sipas këtij vendimi, Komiteti kryesohet nga ministri përgjegjës për turizmin dhe ka në përbërje përfaqësues në nivel të lartë drejtues nga institucionet si: Ministria e Turizmit dhe Mjedisit; Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit; Ministria e Brendshme; Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural; Banka e Shqipërisë; Instituti i Statistikave; Bashkitë Tiranë, Shkodër, Durrës, Vlorë, Gjirokastër dhe Elbasan; Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit; Agjencia Kombëtare e Turizmit; Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore; Departamenti për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Komiteti kryen një seri detyrash nga bashkëpunimi me institucionet përgjegjëse, të cilat merren me procesin e mbledhjes dhe të përpunimit të të dhënave në fushën e turizmit në Republikën e Shqipërisë, me INSTAT, Bankën e Shqipërisë për prodhimin dhe përmirësimin e statistikave të turizmit, në përputhje me kompetencat e tyre ligjore, duke respektuar parimin e pavarësisë profesionale etj.
Komiteti kryen këto detyra:
a) Bashkëpunon me institucionet përgjegjëse, pjesë e komitetit, të cilat merren me procesin e mbledhjes dhe të përpunimit të të dhënave në fushën e turizmit në Republikën e Shqipërisë;
b) Bashkëpunon me INSTAT-in dhe Bankën e Shqipërisë për prodhimin dhe përmirësimin e statistikave të turizmit, në përputhje me kompetencat e tyre ligjore, duke respektuar parimin e pavarësisë profesionale;
c) Koordinon punën me institucionet përgjegjëse për përcaktimin e standardeve funksionale dhe operacionale të të dhënave të databazës së të dhënave shtetërore, të ngritura sipas parashikimit të nenit 66, të ligjit nr.93/2015, i ndryshuar, si dhe për harmonizimin e karakteristikave teknike të Sistemit të Informacionit të Turizmit, në të cilin integrohen të dhënat e Regjistrit Qendror të Turizmit dhe të Sistemit të të Dhënave të Turizmit;
ç) Bashkëpunon me institucionet përgjegjëse për të siguruar krijimin, zhvillimin dhe mbikëqyrjen teknike të Sistemit të Informacionit të Turizmit;
d) Bashkërendon procesin për monitorimin e zbatimit dhe të zhvillimit të mëtejshëm të sistemit të të dhënave në turizëm, në përputhje me standardet ndërkombëtare;
dh) Bashkëpunon me INSTAT-in në drejtim të zhvillimit të llogarive satelitore të turizmit, në përputhje me programin e statistikave zyrtare dhe planin vjetor në zbatim të tij;
e) Bashkëpunon me INSTAT-in për zbatimin e vrojtimeve mbi temën e turizmit, në përputhje me programin e statistikave zyrtare dhe planin vjetor në zbatim të tij;
ë) Bashkëpunon me Bankën e Shqipërisë në funksion të mbledhjes së të dhënave nga vrojtimet dhe përpunimin e të dhënave që kanë të bëjnë me sigurimin e të dhënave statistikore që lidhen me turizmin;
f) Bashkëpunon me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në funksion të zbatimit të vrojtimeve që kanë të bëjnë me institucionet përgjegjëse për kulturën;
g) Bashkëpunon me Ministrinë e Financave, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në funksion të formalizimit fiskal të subjekteve në sektorin e turizmit, duke verifikuar dhe harmonizuar të dhënat statistikore me ato fiskale;
gj) Bashkëpunon me Ministrinë e Brendshme, Departamentin për Kufirin dhe Migracionin në funksion të mbledhjes së të dhënave statistikore sa më të plota dhe cilësore nga të gjitha pikat kufitare;
h) Bashkëpunon me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në funksion të mbledhjes së të dhënave statistikore nga aktiviteti i subjekteve përkatëse në funksion të zhvillimit të turizmit rural dhe agroturizmit;
i) Bashkëpunon me të gjitha institucionet publike, ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor dhe bashkitë, si dhe entitetet pritëse, bizneset dhe shoqatat e sektorit të turizmit, për të siguruar cilësinë e nevojshme për mbledhjen, përpunimin dhe raportimin e të dhënave statistikore në turizëm;
j) Përcakton tipologjinë, formatin dhe periodicitetin e raporteve të bazuara në të dhënat statistikore në turizëm.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Komiteti për të Dhënat Statistikore në Turizëm. /ekofin.al