Moslëshimi i faturës tatimore përbën një nga shkeljet kryesore të subjekteve tatimpagues dhe një prej penaliteteve me gjobë më të shpeshtë nga Administrata Tatimore.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, për periudhën janar – dhjetor 2024 janë penalizuar 699 tatimpagues për kundërvajtjen e mësipërme. Gjithashtu, ndër shkeljet kryesore për të njëjtën periudhë renditen 223 tatimpagues të penalizuar, pasi janë konstatuar me punonjës të padeklaruar, nga të cilët 90 subjekte janë të përgjegjësisë tatimore “biznes i madh” dhe 133 subjekte jane të përgjegjësisë tatimore “biznes i vogël”.
Disponimi i mallrave pa dokumentacion tatimor ka penalizuar 136 tatimpagues ndërsa 106 subjekte janë penalizuar për mosregjistrim si dhe 98 tatimpagues për mosinstalim të sistemit të fiskalizimit;
Tatimet kanë penalizuar gjithashtu 102 subjekte për shkak të mospajisjes me certifikatë elektronike nga AKSHI, si dhe 415 subjekte për shkelje të tjera të legjislacionit tatimor.
Sipas raportit, efektiviteti i kontrollit tatimor për vitin 2024 ishte 40% dhe krahasuar me vitin 2023 që ishte 17% tregon për një rritje me 23%.
Rajoni qendror ka edhe numrin më të madh të verifikimeve dhe shkeljeve të gjetura, nga 1779 verifikime janë konstatuar 796 shkelje, vlera e të cilave arrin në shumën 43,540,000 lekë.
Në total për vitin 2024 totali i shkeljeve të konstatuara është 1779 dhe vlera e përgjithshme është 97,115,000 lekë.
Ndërkohë, vetëm nga ushtrimi i verifikimit dhe koordinimit në terren për periudhën e sezonit turistik në periudhën qershor – gusht, DPT ka konstatuar 875 shkelje me vlerë 52,805,000 lekë. Gjeografikisht, shkeljet janë kryer më shumë në rajonin jugor dhe vlera e tyre arrin 23,695,000 lekë.
Sa i përket nëndeklarimit të pagës reale, Rajoni Qendror me qytetet kryesore Tiranë, Durrës, Elbasan Korçë kanë edhe shkeljet më të mëdha me vlerë totale 5,040,000 lekë. Ndërsa në total, vlera shkeljeve në lekë përfshirë të tri rajonet: Jugor, Qendror dhe Verior është në shumën 6,115,000 lekë.
Pas denoncimeve nga qytetarët, kryesisht përmes telefonit dhe emailit, në total numri i gjobave të vendosura për vitin 2024 është 240, ku mbizotërojnë gjobat për moslëshim fature/bilete me 65 raste. DPT ka vendosur bllokimin e aktivitetit në 40 raste, si dhe ka gjobitur 29 subjekte përmoskryerjen e fiskalizimit./ekofin.al

