Morgan Stanley planifikon të lançojë fonde të tregtuara në bursë (ETF) të lidhura me çmimin e Bitcoin dhe Solana, përkatësisht aktivi i parë dhe i gjashti më i madh kripto sipas kapitalizimit të tregut, sipas formularit S-1 të depozituar pranë Komisionit Amerikan të Letrave me Vlerë dhe Bursës (SEC).
Kjo është hera e parë që një nga dhjetë bankat më të mëdha në SHBA për nga aktivet totale ndërmerr zyrtarisht një hap për të ofruar ETF-e kripto.
Një ETF (exchange-traded fund) është një shportë asetesh që tregtohet në bursë si një aksion, duke u dhënë investitorëve ekspozim të lehtë ndaj një indeksi, sektori apo mallrash, pa i zotëruar ato drejtpërdrejt.
Shumë investitorë preferojnë të marrin ekspozim ndaj kriptomonedhave përmes ETF-eve sepse ato janë me kosto të ulët dhe të përshtatshme. Ato mund të ofrojnë gjithashtu likuiditet më të madh, duke shmangur njëkohësisht komplikimet rregullatore dhe logjistike që lidhen me mbajtjen dhe ruajtjen direkte të aseteve bazë.
Megjithatë, në dy vitet që nga miratimi nga SEC i ETF-it të parë të listuar në SHBA mbi Bitcoin, kryesisht kanë qenë menaxherët e aseteve – dhe jo bankat – ata që kanë lançuar këto produkte.
BlackRock, menaxheri më i madh i aseteve në botë, deklaroi dhjetorin e kaluar se portofoli i tij i ETF-eve mbi Bitcoin ishte shndërruar në burimin kryesor të të ardhurave të kompanisë, me alokime që i afrohen 100 miliardë dollarëve (85 mld €) dhe që gjenerojnë mbi 245 milionë dollarë (210 mln €) në tarifa vjetore.
Bankat amerikane, të cilat deri tani kanë vepruar vetëm si kujdestare të fondeve të klientëve, duket se janë gati dhe të etura të evoluojnë si ofrues shërbimesh kripto në vitin 2026.
Shtysë rregullatore nën administratën Trump
Administrata aktuale amerikane ka qenë dukshëm e favorshme ndaj industrisë së aseteve kripto. Familja e Presidentit Donald Trump lançoi një platformë kripto, World Liberty Financial, vetëm 50 ditë para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.
Kompania menaxhohet nga dy djemtë e tij më të mëdhenj, Donald Jr dhe Eric Trump, dhe së bashku me një tjetër kompani, Trump Media and Technology Group, ka zgjeruar angazhimet personale të presidentit amerikan në fushën e kriptomonedhave.
Paralelisht me këto interesa private, administrata aktuale ka ndërmarrë një shtysë të madhe rregullatore për të inkurajuar Wall Street-in që ta përqafojë plotësisht sektorin e aseteve kripto.
Në korrik 2025, Trump nënshkroi ligjin Guiding and Establishing National Innovation for US Stablecoins Act (GENIUS Act), duke krijuar një kuadër rregullator gjithëpërfshirës për stablecoin-et. Këto janë asete kripto të dizajnuara për të ruajtur një vlerë të qëndrueshme, zakonisht të lidhur me një aset të botës reale, siç është një monedhë fiat (p.sh. dollari amerikan).
Po atë muaj, në Kongresin amerikan u miratua edhe Crypto Legal Accountability, Registration and Transparency for Investors Act (CLARITY Act). Ai tani po shqyrtohet në Senatin e SHBA-së dhe pritet të miratohet më 15 janar 2026.
CLARITY Act është një legjislacion historik që synon t’i japë fund epokës së gjatë të “rregullimit përmes ndëshkimit”, e cila ka rënduar mbi kompanitë kripto në SHBA për vite me radhë.
Në shtator 2025, SEC rishikoi gjithashtu rregullat e listimit për ETF-et e reja të mallrave, përfshirë ato të lidhura me asete kripto, duke hapur rrugën për më shumë produkte financiare në treg.
Ky ndryshim e shtyu Morgan Stanley-n të zgjerojë aksesin e klientëve ndaj investimeve kripto në tetor 2025, dhe tani banka ka depozituar zyrtarisht dokumentet pranë SEC për të ofruar drejtpërdrejt ETF-e kripto.
Në fillim të vitit 2026, edhe Bank of America nisi t’u lejojë këshilltarëve të saj të pasurisë të rekomandojnë alokime kripto në portofolat e klientëve, një tjetër shenjë e rritjes së adoptimit të aseteve kripto mes bankave të mëdha amerikane.
Çfarë do të thotë kjo për BE-në
Ky zhvillim në sektorin bankar amerikan dhe në industrinë e kriptomonedhave nuk është i rëndësishëm vetëm për Wall Street-in, por ka edhe implikime të drejtpërdrejta për investitorët europianë.
ETF-et e listuara në SHBA zakonisht nuk janë të disponueshme për investitorët me pakicë në Europë, sepse nuk përmbushin kërkesat e BE-së sipas regjimit UCITS (Undertakings for Collective Investment in Transferable Securities).
Morgan Stanley ka zgjeruar praninë e saj në tregun europian të ETF-eve që nga hyrja në këtë segment në vitin 2023 dhe po ndërton infrastrukturën e nevojshme për të lançuar versione të këtyre fondeve që janë në përputhje me rregullat e BE-së.
Ndërsa Europa ende nuk ka një ETF spot kripto të përputhshëm me UCITS, platforma të mëdha si Coinbase – një nga bursat më të mëdha të aseteve kripto në botë – po bashkëpunojnë me institucione financiare, përfshirë Morgan Stanley-n, për të mundësuar tregtimin e ETF-eve kripto në Europë gjatë këtij viti.
Së bashku, ato synojnë të jenë në përputhje jo vetëm me UCITS, por edhe me rregulloren europiane Markets in Crypto-Assets (MiCA), e cila kërkon që kompanitë të pajisen me licencë si Ofrues Shërbimesh të Aseteve Kripto (CASP).
Hapi i Morgan Stanley-t tregon se për Wall Street-in, kriptomonedhat nuk janë më një rrezik reputacional për t’u shmangur, por një burim të ardhurash që nuk mund të injorohet më./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

