Monopatina janë shndërruar në një problem serioz në rrugët e Tiranës. Këto mjete janë shtuar së tepërmi sidomos vitet e fundit, duke u shndëruar në një alternativë transporti përballë bllokimeve dhe vonesave në rrugët e Tiranës. Por drejtuesit e tyre nuk janë vetëm të padisiplinuar, por ata shkelin edhe rregullat e qarkullimit, pasi kalojnë jo pak herë edhe me të kuqe në semaforë. Kjo formë transporti, e cila ka dalë vitet e fundit, nuk është e rregulluar as me kod rrugor.
Rasti i përplasjes së tre fëmijëve ditën e djeshme, ka hapur debatin dhe ka vendosur fokusin edhe të medias te kjo problematikë. Le të shpresojmë që të realizohen zgjidhje ligjore dhe parashikime në kod për këtë formë transporti, ku duhet të jetë e detyrueshme përdorimi i kaskës mbrojtëse, pasi monopatinat lëvizin me shpejtësi të konsiderueshme, deri në 50 km/h.
Për rastet e monopatinave kodi i referohet biçikletës. Në mungesë të një korsie të dedikuar, ecja në rrugë e këtyre mjeteve elektrike, duhet të jetë në krahun më të djathtë të rrugës. Sipas rregullave për çiklistët, nuk lejohen 2 persona në një mjet nëse nuk i ka kushtet e tilla, e për çdo shkelje, gjoba varion nga 250 lekë në 2 mijë lekë.
Mjekët, të pyetur nga mediat, thonë se ka mesatarisht 3 raste në ditë të dëmtimeve nga aksidentet nga monopatinat, nga më të lehtat, deri te traumat në kokë.
