Shqipëria do të ngrejë një skemë të ngjashme me atë të Turqisë për sigurimin në bujqësi, me subvencion nga shteti. Kjo ishte një nga marrëveshjet e nënshkruara sot me rastin e vizitës së presidentit turk Erdogan, mes Ministres Denaj dhe homologut turk.
Skema funksionon në Turqi që nga viti 2005, përmes një ligji të posaçëm “Për sigurimin në bujqësi” dhe është një kombinim mes sigurimeve private dhe atyre shtetërore, por në masën më të madhe primi subvencionohet, për shkak se fuqia financiare e fermerëve vleresohet relativisht e ulët.
Skema turke, e quajtur TARSIM, parashikon disa lloje sigurimesh në bujqësi, që nga sigurimi i të korrave, sigurimi i serrave, sigurimi ndaj thatësirës, sigurimi për mbrojtjen e prodhimit, sigurimi i gjedhëve, sigurimi i shpendëve, i akuakulturës ose i bletëve.
Bazuar në këtë skemë, shteti mbulon nga 50-67% të primit të sigurimit. Skema TARSIM operohet nga një grup i kompanive të sigurimit dhe drejtohet nga një bord i përbërë nga shtatë anëtarë, dy përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, dy nga Autoriteti Mbikëqyrës i Sigurimeve, një nga Shoqata e Siguruesve, një nga shoqatat e biznesit, si edhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë TARSIM.
Sipas raportit të agjencisë, që disponon Ekofin, shuma e siguruar për gjithë vitin 2023 për të gjitha linjat e sigurimit rezulton të jetë rreth 17 miliardë euro. Ndërsa primet për vitin 2023 arrijnë në mbi 464 milionë euro, nga të cilat mbi 247 milionë janë të subvencionuara nga shteti. /Ekofin.al
