Qeveria ka vendosur të financojë me kapital fillestar prej 7.3 milionë Euro shoqërinë e re shtetërore, të krijuar nga AKSHI, pas skandaleve që goditën institucionin me tenderat, të cilat po hetohen nga SPAK.
Sipas vendimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave, një fond prej 700 milionë lekësh do të kalojë në formën e kapitalit fillestar shoqërisë “Albanian Digital Solution”, sh.a., një strukturë e krijuar në varësi të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Në terma financiarë, kjo shumë përkthehet në rreth 7.3 milionë euro, duke e vendosur që në nisje këtë kompani në një nivel të konsiderueshëm kapitalizimi për tregun vendas.
Financimi do të mbulohet nga buxheti i miratuar për AKSHI-n për vitin 2026, konkretisht nga zëri i shpenzimeve kapitale, çka tregon se investimi konsiderohet si pjesë e projekteve strategjike në fushën e dixhitalizimit. Në zbatim të vendimit janë ngarkuar Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, AKSHI, si dhe vetë shoqëria e re.
Krijimi dhe financimi i “Albanian Digital Solution” vjen në një moment kur vetë AKSHI është goditur nga rezultatet e hetimeve që sugjerojnë ekzistencën e një skeme korruptive në ndarjen e tenderave, me përfshirjen e gjithë zinxhirit drejtues të institucionit.
Sipas të dhënave zyrtare në ekstraktin historik të regjistrit tregtar, shoqëria “Albanian Digital Solution” (ADS), me formë juridike shoqëri aksionare, u themelua më 14 prill 2026 dhe u regjistrua më 15 prill 2026 në QKB, vetëm pak ditë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore.
Objekti i aktivitetit i kësaj shoqërie është i gjerë dhe mbulon praktikisht gjithë spektrin e teknologjisë së informacionit dhe transformimit digjital në vend. Konkretisht, ADS do të angazhohet në zhvillimin, operimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve dhe platformave digjitale, administrimin e infrastrukturave TIK, si dhe ofrimin e shërbimeve të sigurisë kibernetike, përfshirë parandalimin dhe reagimin ndaj incidenteve. Në të njëjtën kohë, shoqëria do të ketë rol në integrimin dhe ndërveprueshmërinë e sistemeve shtetërore, mbështetjen e transformimit digjital në institucionet publike, si dhe në zhvillimin e shërbimeve digjitale edhe për sektorin privat.
Fusha e veprimtarisë shtrihet më tej edhe në këshillim, projektim, studim dhe bashkëpunim me subjekte vendase dhe të huaja, duke i hapur rrugë një roli më aktiv të kësaj shoqërie në treg, përtej funksioneve klasike të një agjencie shtetërore. Kjo nënkupton se struktura e re mund të operojë edhe në logjikë tregtare dhe të krijojë apo të marrë pjesë në shoqëri të tjera, brenda dhe jashtë vendit.
Në drejtimin e saj është emëruar Saimir Kapllani, me mandat trevjeçar, i cili sipas të dhënave zyrtare është administrator i vetëm i shoqërisë. Kapllani konsiderohet një nga njerëzit më të afërt të drejtuesit të ri të AKSHI-t, Igli Tafa, aktualisht drejtues i përkohshëm i AKSK pas largimit të këtij të fundit nga posti. Kjo lidhje forcon perceptimin se struktura e re është ndërtuar si një instrument i drejtpërdrejtë i menaxhimit dhe zgjerimit të kompetencave të AKSHI-t në tregun digjital. /ekofin.al

