Qytetarët shqiptarë që jetojnë në emigrancion nuk do të përfitojnë më nga programi i qeverisë për bonusin e bebes, i cili ka nisur që në vitin 2019. Ndryshimet ligjore janë miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, duke i kaluar Kuvendit për finalizimin e tyre.
Në projektligj ndryshohet neni 9 pika 1 e ‘Ligjit për asistencën sociale’, që përjashton nga përfitimi i këtij bonusi personat që nuk janë rezidentë në Shqipëri. Nuk dihet se sa emigrantë e kanë përfituar deri më tani një bonus të tillë, që është në vlerën e 40 mijë lekëve për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për fëmijën e dytë dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë.
Që prej Janarit të vitit 2019 kur ka nisur programi i qeverisë, më shumë se 170 mijë familje kanë përfituar nga ndihma financiare për fëmijët e porsalindur. Ende nuk ka një relacion që të përcaktojë se sa është numri i shtetasve shqiptarë që do të preken nga ky përjashtim dhe arsyet se përse u ndërmor ky ndryshim. /ekofin.al

