Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar rregulloren “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”, hartuar në zbatim të ligjit për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit. Dokumenti është hartuar në konsultim me Bankën Botërore dhe Zyrën e Asistencës Teknike të Departamentit Amerikan të Thesarit (OTA).
Sipas nenit 7 të ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, shoqëria e sigurimit i përcakton vetë tarifat e primit të sigurimit të detyrueshëm për mjetet motorike, në linjë me Direktivën e BE-së. Në rregulloren e miratuar janë parashikuar si faktorë risku: historiku i dëmeve; fuqia motorike; mosha e të siguruarit; përvoja në drejtimin e automjetit; përdorimi i mjetit; qarku i regjistrimit të mjetit; si edhe vjetërsia e mjetit.
Pjesa më e madhe e faktorëve të riskut të përfshirë në metodologji parashikojnë elementë lehtësues. Mes tyre vlerësohen mjetet me fuqi motorike të vogël (deri në 1600 cm3), drejtuesit që nuk janë shkaktarë aksidentesh në vitin e fundit (bazuar në Bonus-Malus), mjetet e regjistruara në disa qarqe të vendit me incidencë më të ulët aksidentesh, si edhe mjetet e reja (të prodhuara në 5-vjeçarin e fundit).
Me zbatimin e faktorëve të riskut synohet një prim i individualizuar dhe me profilizim sipas secilit të siguruar. Në vendet e Bashkimit Evropian, ku zbatohen faktorë risku, është verifikuar që krahas ndikimit pozitiv për një vlerësim të saktë, aktuarial dhe mbi baza individuale, aplikimi i tyre ka ndikuar edhe në zvogëlimin e numrit të aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve. Në aspektin social, me aplikimin e sistemit të faktorëve të riskut, synohet ndërgjegjësimi i drejtuesve të mjeteve, rritje e cilësisë së shërbimit të sigurimeve, si dhe mbrojtje më e mirë e konsumatorit. Në aspektin teknik, procesi është më transparent dhe përfshirja e formulave matematikore ndërton një mekanizëm të drejtë dhe sipas meritës, ku primi i sigurimit do të varet në bazë të riskut që mbart secili i siguruar.
Bazuar në këtë rregullore, shoqëria e sigurimit publikon primet e rrezikut, koeficientët e faktorëve të riskut shoqëruar me raste të zbatimit të tyre në praktikë, si dhe primet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit, në faqen e saj të internetit dhe i mban ato të afishuara në faqe gjatë gjithë periudhës së zbatimit. Faktorët e riskut aplikohen vetëm për sigurimin TPL dhe jo për produktet e tjera të sigurimit të detyrueshëm, si Karton Jeshil apo sigurimin kufitar. Rregullorja e re parashikohet të hyjë në fuqi më 1 janar 2025. /ekofin.al
