Parku Teknologjik “Durana” do të jetë një hapësirë e re me një legjislacion të posaçëm që do të mundësojë tërheqjen e shumë kompanive dhe startup-eve për të zhvilluar aktivitetin e tyre në këtë territor.
Në aktivitetin e organizuar në Institutin “Harru Fultz”, Kryeministri Edi Rama njoftoi se në mbledhjen e sotme të qeverisë do të miratohet vendimi për këtë park.
“Një nga vendimet që kemi sot në mbledhjen e qeverisë është përfundimi i procesit për Parkun e madh Teknologjik, një hapësirë e re me një legjislacion të posaçëm që do të mundësojë tërheqjen e shumë kompanive dhe startup-eve për të zhvilluar aktivitetin e tyre në territorin e atij parku”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se ky park do t’i krijojë një horizont të ri të gjithë atyre që do të kryejnë studimet në Institutin e Teknologjisë Rochester (RIT), apo ata që mbarojnë studimet në Institutin “Harry Fultz”.
“Ashtu sikundër në qendër të Vlorës, një godinë dikur e papërdorur do të transformohet në një hapësirë që do të vihet në funksion të teknologjisë. Me fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim do të hapim po ashtu në shtator shkollën ekselente franceze në fushën e teknologjisë me studime më të avancuara, me metodologji inovative. Paralelisht me të edhe Liceun Francez për teknologjinë në Korçë”, informoi Rama.
Kryeministri vlerësoi kontributin e posaçëm të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim në këtë drejtim, ndërsa u shpreh se kontributi i këtij fondacioni për teknologjinë nuk është bërë shumë publik.
Miratohet plani i zhvillimit të “Durana Tech Park”
Këshilli i Ministrave miratoi planin e detajuar të zhvillimit të “Durana Tech Park”, parku i parë teknologjik në Shqipëri.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja në një deklaratë për mediet pas mbledhjes së qeverisë, bëri të ditur se qeveria synon të pozicionojë këtë park si një qendër të rëndësishme e zhvillimit ekonomik e inovativ.
“Ky park do të konkurrojë në rajon dhe globalisht, duke sjellë përparësi strategjike dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik për vendin”, tha ministri.
Po ashtu, vuri në dukje ai, qëllimi i këtij është krijimi i një mjedisi të veçantë ekonomik dhe teknologjik që ofron kushte të favorshme për zhvillimin e industrive të avancuara.
“Fokus është nxitja e investimeve vendase dhe të huaja dhe krijimi i një territori me një regjim fiskal dhe doganor të lehtësuar”, deklaroi ministri.

