Qeveria ka miratuar dje Dokumentin e Politikave të Moshimit 2025-2030, përmes të cilit parashikohet të jepet pension i 13-të për të moshuarit. Ky plan synon përmirësimin e cilësisë së jetesës për moshën e tretë në vend, objektiv që pritet të realizohet brenda vitit 2030.
Synohet reformim i skemës së pensioneve, që nga rishikimi i moshës së daljes në pension për burrat dhe gratë e deri te rritja e pensionit mesatar apo dyfishimi i përfituesve të pensionit social.
Po ashtu në strategji parashikohen edhe një sërë masash në drejtim të rishikimit të kornizës ligjore për uljen e normave të tatimit për të ardhurat e të punësuarve në moshë pensioni;Bonuse për qëndrueshmëri dhe performancë; Mbështetje për pensione private; Fleksibilitet të orareve të punës.
Edhe për ata shqiptarë që kanë kontribuar në Greqi, më në fund do të ndërmerren hapa konkretë për pensionet e tyre, për të cilat pritet të firmoset marrëveshja me vendin tonë.
Objektiv i vendosur në dokument është që pensioni minimal 200 euro të arrihet brenda 2030-ës.

