Këshilli i Ministrave shpalli sot disa zona me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore në territorin e nëntë bashkive të vendit, në kuadër të ligjit nr.20/2025, “Për paketën e maleve”. Vendimet përfshijnë bashkitë Berat, Dimal, Durrës, Himarë, Kavajë, Librazhd, Mirditë, Rrogozhinë dhe Vlorë, ku do të lejohen aktivitete të zhvillimit ekonomik, industrial dhe turistik.
Sipas vendimeve të miratuara, në Bashkinë Berat janë shpallur 44 zona me përparësi, të shpërndara në fshatrat Balibardhë, Bilçë, Malinat, Palikësht, Qereshnik, Ullinjas, Veleshnjë, Mbjeshovë, Lapardha 2, Roshnik Qendër, Karkanjoz, Qafë-Dardhë, Mbreshtan, Paftal dhe Sinjë, me një sipërfaqe totale prej rreth 1,160.17 hektarësh. Në Bashkinë Dimal janë shpallur 5 zona, me një sipërfaqe totale prej rreth 1,815.9 hektarësh, të shtrira në Malas Breg, Agim, Syzez, Konisbaltë, Poshnjë, Pashalli, Vokopolë, Skrevan dhe Bistrovicë.
Në Bashkinë Durrës, qeveria ka shpallur 3 zona prioritare me sipërfaqe shumë më të gjera, që përfshijnë territorin e Ishmit, Manzës dhe Rrashbullit, me një total prej 14,710 hektarësh. Ndërsa në Bashkinë Himarë janë shpallur 18 zona, të shtrira nga Palasa, Gjileka e Dhërmiu, deri në Vuno, Himarë, Pilur, Kudhës, Qeparo, Borsh, Lukovë, Nivicë, Fterrë, Vranisht, Tërbaç, Bolenë, Kallarat dhe Kuç, me një sipërfaqe totale prej 13,080 hektarësh.
Vendimi për Bashkinë Kavajë përfshin 9 zona në Kanaparaj, Seferaj, Çetë, Zikular, Habilaj, Peqinaj dhe Bago, me një sipërfaqe totale prej 519 hektarësh. Ndërkohë, në Bashkinë Librazhd janë shpallur 10 zona të mëdha prioritare, që përfshijnë një pjesë të gjerë të njësive administrative Qendër Librazhd, Polis, Hotolisht, Orenjë, Stëblevë dhe Lunik, me një sipërfaqe totale prej 62,098 hektarësh.
Një nga vendimet me shtrirjen më të madhe lidhet me Bashkinë Mirditë, ku janë shpallur 7 zona prioritare në njësitë administrative Fan, Kthellë, Rrëshen, Orosh, Selitë, Kaçinar dhe Rubik, me një sipërfaqe totale prej 72,094 hektarësh. Në Bashkinë Rrogozhinë janë shpallur 3 zona në Lekaj, Gosë, Rrogozhinë, Sinaballaj dhe Kryevidh, me një sipërfaqe totale prej 12,185 hektarësh.
Po ashtu, në Bashkinë Vlorë janë shpallur 4 zona me përparësi, të shtrira në Novoselë, Shushicë, Qendër dhe Orikum, që përfshijnë fshatra si Trevëllazër, Cerkovinë, Risili, Çeprat, Shushicë, Kaninë, Sherishtë, Babicë, Bestrovë, Panaja, Radhimë, Tragjas dhe Dukat, me një sipërfaqe totale prej 15,075.76 hektarësh.
Në total, vendimet e sotme përfshijnë 103 zona me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore, me një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 192,737.83 hektarësh. Për të gjitha këto zona, shtrirja, kufijtë dhe pikat e hyrjes e të daljes do të përcaktohen në hartat treguese sipas sistemit KRGJSH, që i bashkëlidhen secilit vendim.
Për zbatimin e këtyre vendimeve janë ngarkuar Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe bashkitë përkatëse. Të gjitha vendimet do të hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
