Kanë hyrë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare tarifat e reja për shërbimet e sigurisë që ofrohen nga shoqëria shtetërore “Illyrian Guard” sh.a.,
Institucionet shtetërore dhe shoqëritë me kapital publik udhëzohen që të buxhetojnë shërbimet e sigurisë sipas tarifave të reja të përcaktuara.
Në segmentin e sigurisë fizike me punonjës shërbimi sigurie, tarifat mujore variojnë sipas turneve. Për një turn të parë, tarifa është 95,022 lekë në muaj pa TVSH, ndërsa për një turn të vetëm arrin në 109,860 lekë. Në rastin e dy turneve, çmimet lëvizin nga 97,925 lekë për turnin e parë dhe të dytë, në 100,828 lekë për turnin e dytë, ndërsa për tre turne tarifa arrin në 133,730 lekë në muaj për punonjës.
Për shërbimin e reagimit me grup verifikimi sinjalesh, tarifa mujore është përcaktuar në 14,743 lekë pa TVSH, duke përfshirë monitorimin 24/7 nga qendrat e kontrollit dhe ndërhyrjen në terren në rast alarmi.
Udhëzimi parashikon edhe shërbimet e sigurisë me sisteme elektronike, ku tarifat ndryshojnë sipas nivelit të teknologjisë dhe kompleksitetit të instalimit. Shërbimi bazë i ruajtjes fizike me sistem alarmi kushton 16,876 lekë në muaj, ndërsa përfshirja e kamerave e çon tarifën në 42,969 lekë. Për sistemet me regjistrim video (NVR), tarifat rriten ndjeshëm: 98,376 lekë për 4 kanale, 113,488 lekë për 8 kanale dhe deri në 150,254 lekë në muaj për sisteme me 16 kanale.
Në rastet kur shtohen komponentë të tjerë si barriera elektronike, akses kontrolli apo kombinimi i disa sistemeve (kamera, alarm, barriera), tarifa mund të arrijë deri në 169,477 lekë në muaj. Ndërkohë, shërbimet më të thjeshta si mirëmbajtja e akses kontrollit me karta apo pajisje bazë variojnë nga 5,653 lekë në 6,731 lekë në muaj.
Udhëzimi përcakton gjithashtu mënyrën e ofrimit të shërbimeve sipas ditëve dhe orareve, ku koeficientët ndryshojnë nga 1.18 për një turn 8-orësh gjatë ditëve të javës, deri në 4.98 për tre turne gjatë gjithë javës, përfshirë fundjavën, duke reflektuar intensitetin e shërbimit.
Udhëzimi synon standardizimin e kostove të sigurisë për institucionet publike dhe orientimin drejt përdorimit më të gjerë të teknologjisë në mbrojtjen fizike dhe elektronike të objekteve. /ekofin.al

