Qeveria ka miratuar rregullat e administrimit të regjistrit të objekteve të konfiskuara dhe të të dhënave të tij.
Regjistri i objekteve të konfiskuara ndërvepron me bazën e të dhënave shtetërore të institucioneve të tjera, duke përdorur si të dhëna dytësore të dhënat parësore të tyre. Të dhëna parësore të regjistrit të objekteve të konfiskuara janë dokumentacionet tekniko-ligjor të pasurisë, i cili përfshin praktikën administrative të vendimit të konfiskimit dhe miratimit të programeve të zhvillimit.
Të dhënat dytësore të regjistrit janë të dhënat e invidividës që merren nga Zyrat e Gjendjes civile, të dhënat e biznesit nga QKB, si dhe të dhënat e pasurisë që merren nga ASHK, lejet e ndërtimit administruar nga Agjencia e Territorit. Në regjistër do të shënohen edhe të dhëna të tjera plotësuese siç mund të jenë akte administrative (urdhra, vendime, etj), dhe akte të tjera të krijuara nga veprimtaria e autoriteteve përgjegjëse sipas ligjit, në funksion të procesit të konfiskimit dhe të programeve të zhvillimit apo vendime gjykate.
Përdoruesit e regjistrimit do të jenë në nivel administratori, i cili administron bazën e të dhënave dhe konfiguron rolet e përdoruesve të regjistrit; redaktuesi, i cili plotëson të dhënat për objektet e konfiskuara; aprovuesi, i cili aprovon të dhënat e hedhura nga redaktuesi; lexues, i cili konstulton të dhënat e regjistrit; audituesi, i cili mbikëqyr të dhënat e regjistrit.
Institucionet shtetërore, që ushtrojnë ndjekjen penale dhe agjencitë ligjzbatuese, kanë akses të drejtpërdrejtë si lexues në regjistrin e objekteve të konfiskuara. E drejta e hyrjes në regjistrin e objekteve të konfiskuara mundësohet me paraqitjen e kërkesës nga institucioni përkatës. Brenda 2 (dy) ditëve nga paraqitja e kësaj kërkese, Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës pajis institucionin me kod hyrës të posaçëm për ta.
Për këtë qëllim institucionet që do të përdorin këtë regjistër do të duhet të përcaktojnë personat që do të kenë akses. Të dhënat do të përdoren vetëm për qëllime të përmbushjes së detyrave funksionale, duke zbatuar legjislacionin në fuqi, si dhe duke respektuar mbrojtjen e të dhënave personale.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, duhet të mundësojë të drejtën e institucioneve për marrjen e ekstrakteve nga regjistri i objekteve të konfiskuara. Vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”./ekofin.al
