Qeveria ka miratuar në mbledhjen e datës 30 dhjetor tri kontrata koncensionare me vlerë të përgjithshme investimi 840 milionë Euro, për ndërtimin e segmenteve rrugore që janë pjesë e Korridorit Blu, Murriqan – Kakavijë, të cilat lidhin veriun me jugun e vendit.
Koncensioni i ndërtimit të segmentit Milot-Thumanë me gjatësi 13.5 km, parashikohet të kushtojë 44,6 milionë euro pa TVSH dhe do të ndërtohet nga bashkimi i shoqërive “Gener 2”, “Illyrian Consulting Engineers” dhe “I.D.K- Konstruksion”.
Segmenti Thumanë- Kashar prej 21 kilometrash, i ndërtuar sërish nga Gener 2, tashmë ka përfunduar dhe kalimi do të jetë me pagesë duke nisur nga data 5 janar 2025, siç ka njoftuar koncensionari.
Për segmentin rrugor Kashar-Pezë-Lekaj është miratuar nga Qeveria kontrata e koncensionit me Bashkimin e Operatorëve Ekonomikë “Gjoka Konstruksion”, sh.a., “Junik” sh.p.k., “Cobial”, sh.p.k., “Pepa Group”, sh.p.k., “UDHA”, sh.p.k., “Geoportal”, sh.p.k., dhe “A&E Engineering”, sh.p.k.,
Segmenti ka gjatësi 26.6 kilometra dhe kosto e tij vlerësohet 474,8 milionë euro.
Gjithashtu, Qeveria miratoi edhe kontratën e koncesionit për segmentin Lekaj – Konjat – Fier.
Bashkimi i tetë operatorëve kryesuar nga “Fusha”, sh.p.k., “Agbes Construksion”, sh.p.k., “Albavia”, sh.p.k., “Kupa”, sh.p.k., “Ante-Group”, sh.p.k., “Klodioda”, sh.p.k., “A.L.T.E.A. & Geostudio 2000”, sh.p.k., dhe “Sphaera”, sh.p.k. ishte shpallur më parë fitues nga Agjencia e Prokurimeve Publike.
Koncensioni, me vlerë investimi të parashikuar 320 milion euro, parashikon ndërtimin e një segmenti prej 46 km dhe ka afat shfrytëzimi një periudhë 35 vjeçare. Gjurma e kësaj rruge fillon pranë zonës së Luzit të vogël në Kavajë me mbarimin e aksit Kashar – Lekaj dhe përfundon në fillimin e Bypassit të Fierit pranë zonës së Mbrostarit. /ekofin.al
