Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj deklaroi se vlerësimi më i fundit i Shqipërisë nga agjencia prestigjoze Standard & Poor’s, është një sinjal pozitiv që tregon se kemi ndërmarrë politikat e duhura, në mbështetje edhe të biznesit, si një partner kyç për qeverinë, në zbatim të reformave që po ndërmarrim.
“Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard & Poor’s (S&P) ka rishikuar për lart parashikimin për ekonominë shqiptare nga “perspektivë e qëndrueshme” në “perspektivë pozitive”, çka do të thotë një klimë e përmirësuar për biznesin e ndikuar nga politikat e ndërmarra në funksion të zhvillimit ekonomik”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.
Ministrja Ibrahimaj nënvizoi se në rishikimin më të fundit, Agjencia thekson se rritja ekonomike pritet të rimarrë shpejtësi pas vitit 2023, ndërkohë që do të lehtësohen edhe kushtet e financimit të ekonomisë.
Ky vlerësim, sipas ministres Ibrahimaj, do të ndikojë në rritjen e interesit të investitorëve të huaj në vend.
“Një nga motorët kryesor të zhvillimit do të jenë investimet e huaja direkte. Ky vlerësim është një sinjal pozitiv që tregon se kemi ndërmarrë politikat e duhura, në mbështetje edhe të biznesit, si një partner kyç për ne, në zbatim të reformave që po ndërmarrim.
Të premten, agjencia Standard & Poor’s rishikoi në rritje perspektivën për Shqipërinë, nga e qëndrueshme në perspektivë pozitive, duke konfirmuar vlerësimin B+.
Ky rishikim, pas thuajse shtatë vitesh, është një hap në drejtim të grupit të vendeve që konsiderohen me financa publike më të forta.

