Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ka firmosur udhëzimin e ri, që detyron shkollat e mesme të ulin numrin e nxënësve në klasa nga 35 në 30 nxënës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Ministrja Kushi bënë të ditur se vendimi ka si qëllim rritjen e cilësisë në mësimdhënie. Në udhëzimin e firmosur nga Ministrja e Arsimit parashikohet që një shkollë e mesme, do të ketë 3 nëndrejtorë kur numri i nxënësve është mbi 800. Viti e shkuar ishte mbi 900.
“Në udhëzimin e ri për numrin e nxënësve për klasë dhe ngarkesat mësimore javore të mësuesve, kemi miratuar disa ndryshime për vitin e ri shkollor që synojnë rritjen e cilësisë dhe kushte më të favorshme për mësuesit dhe nxënësit.
Numri mesatar i nxënësve për klasë ulet nga 35 në 30, në të gjitha gjimnazet dhe shkollat e orientuara, në funksion të zhvillimit më të mirë të procesit mësimor. Vitin e kaluar e ulëm këtë numër për shkollat 9-vjeçare, ndërsa për vitin e ri shkollor po e unifikojmë këtë standard për të gjithë sistemin para-universitar”, shkruan Kushi.
“Shkollat që kanë mbi 800 nxënës do të kenë tre nëndrejtorë, ndërkohë që ky numër më parë ka qenë mbi 900 nxënës. Rritja e numrit të nëndrejtorëve ka si qëllim një menaxhim më efektiv të shkollave, monitorim dhe vlerësim më të mirë të procesit mësimor, si dhe rritje të vëmendjes dhe kujdesit për nxënësit tanë”, bënë të ditur Ministrja e Arsimit dhe Sportit.
“Të gjitha shkollat e arsimit special për nxënësit me aftësi ndryshe, për herë të parë do të kenë edhe nëndrejtor, pavarësisht numrit të nxënësve, me qëllim lehtësimin e menaxhimit dhe në funksion të kthimit të tyre në qendra burimore. Kur numri i nxënësve kalon mbi 130, atëherë shkolla do të ketë dy nëndrejtorë”, vijon Kushi.
