Në Komisionin për Ekonominë dhe Financat kanë nisur diskutimet për projektbuxhetin e vitit 2025. Gjatë prezantimit të tij, Ministri i Financave, Petrit Malaj, theksoi se ekonomia po kalon një moment të mirë dhe projeksionet janë për një rritje ekonomike prej 3.9% gjatë këtij viti, e ndikuar nga konsumi dhe shërbimet, të nxitura kryesisht nga turizmi.
Buxheti i vitit 2025 mbështet dy objektiva. Së pari vijon rritjen ekonomike të qëndrueshme dhe së dyti konsolidimi fiskal, me ulje të borxhin publik.
“Aktualisht ekonomia është në një moment të mirë, rritja në gjashtëmujorin e parë rritja ishte 3.9%, e ndikuar kryesisht nga shërbimet dhe ndërtimit. Pritshmëritë edhe për tremujorin e tretë janë pozitive, ndaj kemi rishikuar projeksionet për rritjen ekonomike nga 3.7% më 3.9%. Papunësia është ulur, ndërkohë është rritur punësimi dhe pagat.
Inflacioni në 9 muajit e këtij viti ka rënë në 2.3%, ndikim të madh në rënien e inflacionit ka dhënë edhe forcimi i monedhës kombëtare. Kursi i forcuar i këmbimit, ka ardhur për shkak të turizmit, remitancave dhe investimeve të huaja direkte. Pr/buxheti i vitit 2025, parashikon që viti të mbyllet me suficit prej 0.5 mld lekë. Për vitin 2025 presin që niveli i borxhit të zbresë në 55.8% nga 56.3% që e presim në fund të këtij viti. Parashikojmë rritje ekonomike në 3.9%, e ndikuar nga konsumi, nga shërbimet, rritja eksporteve. Rreziqet mbeten të balancuara dhe të menaxhuara” tha Malaj.
Në reagimin e tij, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, kërkoi një seancë të posaçme për diskutim për skemën e sigurimeve shoqërore (pesionet), apo edhe për çështjen e çmimeve të shportës.
“Të futet në kalendarin e diskutimeve, një diskutim i posaçëm për buxhetin e këtij viti për realizimin e tij. E dyta të kemi seancë të posaçme për sigurimet shoqërore, dhe ta analizojmë me detaje sepse po ballafaqohemi me problemin e skemës së pensioneve. Së treti, do doja një diskutim të posaçëm për shtyllën sociale pasi preken njerëzit në nevojë. Së katërti do doja një seance te posaçme për sigurinë kibernetike. Ka marrë vëmendje të madhe për shkak te sulmeve kibernetike dhe dezinformimin. Së pesti, do doja një seance të posaçme për disa propozime për politika fiskale dhe jo vetëm, që mund të miratohen ose jo, por ne ti diskutojmë disa çështje që janë shqetësim. Së fundmi, do doja një diskutim të posaçëm për çështjen e çmimeve të shportës,” theksoi deputeti Braçe.
Diskutimet për projektbuxhetin do të vijojnë sipas kalendarit të përcaktuar edhe në komisionet e tjera të Kuvendit. Në mbledhjen e sotme tek Ekonomia u vu re mungesa e përfaqësuesve të opozitës, ku i pranishëm ishte vetëm deputeti Dashamir Shehi.
