Fermerët shqiptarë do të kenë së shpejti sistemin e tyre të sigurimit të prodhimeve në rast të fatkeqësive natyrore.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “po punohet për një sistem mikro-sigurimi, që t’i kushtojë në minimum prodhuesit dhe fermerëve dhe që djersa e tyre të mos shkojë kot në raste fatkeqësish”.
“Po mundohemi që bashkë me universitetin, përmes teknologjisë, ta çojmë në një nivel tjetër gjithë procesin e sigurimit të prodhimeve dhe njëkohësisht të cilësisë së prodhimeve. Është e domosdoshme që bujqësia të përfshihet në skemën e sigurimeve. Ta sigurojnë fermerët, ta sigurojnë prodhuesit prodhimin e tyre dhe jo të gjenden përballë befasive të motit, krejtësisht të shkatërruar e pastaj të dalin në rrugë e t’i kthehen qeverisë “duam lekët”. Nuk funksionon kështu”, tha Rama.
Nga ana tjetër, ai shtoi se “nuk mund t’i themi dot fermerëve, prodhuesve në bujqësi që të sigurohen siç sigurohen ata që sigurojnë makinat, sepse bëhet fjalë për një sistem sigurimi që është shumë i shtrenjtë për prodhuesit dhe për fermerët”.
“Na duhet një sistem sigurimi krejtësisht i ndryshëm e ne po punojmë për këtë, që të kemi një sistem mikrosigurimi, pra që t’i kushtojë në minimum të minimumit fermerit, t’i kushtojë në minimum të minimumit prodhuesit e në momentin kur i vjen katastrofa, ai të jetë krejtësisht i mbuluar. Pra është një minimum i minimumit që pastaj sjell garancinë që asnjë pikë djersë nuk të shkon kot dhe një sistem sigurimi i kombinuar me teknologjinë”, tha ai.
Sot, vijoi Rama, “bota e kontrollon cilësinë dhe garancinë e produktit me satelit, nuk e kontrollon me inspektorë”.
“Ky është një tjetër komponent që do të mbulojnë satelitët tanë. Pra, do punojmë për këtë sistem sigurimi me mikrofinancim, i cili të garantojë një informacion të plotë, qoftë për qeverinë, qoftë për universitetin, qoftë për siguruesit, qoftë për bujqit dhe për çdo parcelë, që ta dimë në kohë reale në çdo parcelë se ku gjente prodhimi e mbi të gjitha, në kohë reale që në sekondën e parë të identifikohet cilësia e farës sepse aty është një tjetër hall i madh i joni i përbashkët dhe aty përsëri universiteti do të duhet të futet si hallkë garancie në mënyrë që të mos ketë më mundësi që t’i shiten fermerëve fara tjetër për tjetër apo fidanë tjetër për tjetër”, tha ai.