Institucionet e mikrofinancës kanë zgjeruar më tej aktivitetin e tyre përgjatë vitit 2021, duke shtuar totalin e aktiveve, por edhe portofolin e kredive. Referuar të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, në raportin e mbikëqyrjes për vitin 2021, rezulton se totali i aktiveve të institucioneve financiare jobanka në fund të vitit 2021 arriti në rreth 76.3 miliardë lekë, me një rritje prej 12.4%, ose 8.42 miliardë lekë. Kontributin kryesor në rritjen e aktiveve të tregut e kanë dhënë dy institucionet që kanë patur edhe zgjerimin më të madh në vitet e fundit, Fondi Besa (25%) dhe Iutecredit Albania (19%).
Gjithashtu, sipas të dhënave të raportuara nga Banka e Shqipërisë, rezulton një rritje me rreth 5.5 miliardë lekë (15.1%) e portofolit të kredive bruto të institucioneve financiare jobanka në fund të vitit 2021. Në total portofoli i kredisë bruto arriti në 42.1 miliardë lekë. Aktiviteti me rritjen më të lartë gjatë vitit 2021 ka qenë mikrokredia (me rreth 3.87 mld lekë) përkundrejt tre kategorive të tjera: kredidhënies, qirasë financiare dhe faktoringut.
Pjesa më e madhe e portofolit të kredisë së IFJB-ve mbahet nga subjektet e kredidhënies dhe mikrokredisë (76.1%). Më pas renditet portofoli i subjekteve të qirasë financiare (22.8%) dhe portofoli i subjekteve faktoring (1.1%). Portofoli i kredisë së IFJB-ve arrin në 5.9% të totalit të kredisë së sistemit bankar, duke ruajtur pothuajse të njëjtën peshë krahasuar me vitin paraardhës. Në fund të vitit 2021, treguesi i kredive me probleme për subjektet financiare është rritur me 2.44%, duke arritur në 13.6, ndikuar kryesisht nga përkeqësimi i cilësisë së portofolit në subjektet e mikrokredisë.
Gjithashtu, institucionet financiare jobanka kanë patur një performancë të mirë financiare gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave të BSH, këto institucione kanë siguruar 3.66 miliardë lekë fitim, me një rritje prej 1.3 miliardë lekë (57%), krahasuar me vitin 2020, ku në pjesën kryesore ka ndikuar shpërndarja e dividentit.
Gjatë vitit 2021, IFJB-të kanë gjeneruar një rezultat pozitiv prej 3.66 mld lekësh. Krahasuar me vitin paraardhës, vërehet një rritje prej 1.3 mld lekësh (56.9%), e cila në pjesën më të madhe shpjegohet me shpërndarjen e dividendit nga bankat, të cilat kanë si aksionarë institucione financiare jobanka. Ndikim pozitiv në këtë drejtim kanë dhënë dhe veprimtaritë e subjekteve: Kredo Finance, Iute Credit Albania, Micro Credit Albania dhe Fondi Besa. Gjithashtu ka patur një përmirësim të treguesve të kthimit nga kapitali dhe kthimi nga aktivet për këto institucione.
Ekofin.al