Ditën e sotme Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete mblodhi Këshillin Administrativ të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Mete bëri të ditur se gjatë takimit u miratuan një sërë vendimesh, si dhe u diskutua mbi ecurinë e Paketës së Solidaritetit.
Paketa përfshin bonuse sociale për 64 mijë përfitues të ndihmës ekonomike; 73 mijë përfitues të pagesave mbështetëse të aftësisë së kufizuar; 36 mijë familje me fëmijë në ndihmë ekonomike; 68 mijë invalidë të punës; 44 mijë përfitues të pensioneve familjare. Parashikohet një shpërblim për 1144 punonjës të administratës shtetërore, përfaqësues në takimet bilaterale të zhvilluara në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim në BE, edhe për shkak të rezultateve të lavdërueshme dhe të vlerësimeve të larta që kanë marrë edhe nga Komisioni Evropian.
Po ashtu, ka një mbështetje për çdo punonjës policie për kompensimin e tyre ushqimor, në një vlerë totale prej rreth 800 milionë lekë. Sipas ministrit, Paketa e Solidaritetit në mbështetje të shtresave në nevojë, familjeve me fëmijë në ndihmë ekonomike, përfituesve të pagesave mbështetëse të aftësisë së kufizuar, përfituesve të ndihmës ekonomike, do të vijojë të shpërndahet gjatë këtyre ditëve, si edhe pas festave të fundvitit.
