Mësuesit dhe trajnuesit që do të angazhohen në programin “Pas shkolle” do të paguhen 1,000 lekë për çdo orë të zhvilluar jashtë orarit të detyrueshëm mësimor. Pagesa do të konsiderohet shërbim i veçantë arsimor dhe, për mësuesit e punësuar, nuk do të përfshihet në pagën mujore apo në ngarkesën e tyre të zakonshme.
Programi do të zbatohet në shkollat publike të arsimit bazë dhe të mesëm të lartë, me synim përforcimin e njohurive dhe zhvillimin e aftësive sociale, sportive, artistike, kulturore dhe praktike të nxënësve.
Për aktivitetet mësimore mund të angazhohen mësues në punë, kandidatë në listën e pritjes të portalit “Mësues për Shqipërinë”, ish-mësues në pension dhe persona të diplomuar në mësuesi ose fusha të përafërta. Për aktivitetet artistike dhe kulturore përfshihen edhe të diplomuar në arte, ish-punonjës të institucioneve kulturore dhe artizanë të regjistruar si bartës të folklorit ose të trashëgimisë jomateriale.
Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar do të shpallë thirrjen, ndërsa kandidatët do të kenë 10 ditë kohë për të aplikuar. Mësuesit aplikojnë në SMIP, kandidatët e portalit përmes “e-Albania”, ndërsa kategoritë e tjera dorëzojnë dosjen pranë zyrës vendore të arsimit.
Përparësi do të kenë mësuesit që punojnë në shkollën ku zhvillohet programi. Përzgjedhja e tyre bëhet nga një komision me drejtorin e shkollës, një përfaqësues të mësuesve dhe kryetarin e këshillit të prindërve. Kandidatët e portalit përzgjidhen sipas renditjes me pikë, ndërsa pensionistët, të diplomuarit dhe artizanët vlerësohen nga komisionet e zyrave vendore arsimore.
Programi do të financohet çdo vit nga buxheti i shtetit, përmes fondeve që u akordohen zyrave vendore të arsimit. Vendimi nuk përcakton fondin e përgjithshëm, numrin e shkollave që do të përfshihen, numrin e nxënësve përfitues apo orët maksimale që mund të paguhen.
Sipas vendimit, shkollat duhet të dokumentojnë pjesëmarrjen e nxënësve, orët e realizuara dhe rezultatet, ndërsa strukturat arsimore rajonale do të monitorojnë përdorimin e fondeve dhe zbatimin e programit. Për vitin shkollor 2026–2027, kandidatët e renditur në portalin “Mësues për Shqipërinë” do të aplikojnë elektronikisht. Ndërkohë, vendimi i vitit 2022 për këtë program shfuqizohet.
