Tik Tok-u është bërë çështje edhe në Kosovë ku ditën e sotme është marrë vendimi për ndalimin e përdorimit në institucionet qeveritare. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bardhyl Dobra, tha se ndalimi i kësaj platforme bëhet për shkak të rreziqeve kibernetike që ajo paraqet.
Ky vendim ka për synim “të mbrojë institucionet shtetërore të Kosovës kundër kërcënimeve dhe veprimeve të sigurisë kibenernetike të cilat mund të shfrytëzohen për sulme kibernetike ndaj infrastrukturës të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit të institucioneve të Kosovës”, tha ai.
Vendimi i Qeverisë detyron të gjitha institucionet publike të cilat administrojnë rrjete shtetërore të komunikimit “që të vendosin kufizimet nevojshme teknike për ndalimin e funksionimit të shërbimeve të aplikacionit TikTok në ambientet zyrtare të punës. Po ashtu, të gjithë zyrtarët publikë janë të obliguar që në pajisjet zyrtare të largojnë aplikacionin TikTok dhe skedarët instalues të tij”, tha Dobra.
Qeveria e Kosovës tha se ndalimi i TikTok-ut në institucione u bë duke ndjekur shembullin edhe të shteteve aleate.

