Merita Bejtja nuk ka mundur të sigurojë mbështetjen e të paktën 28 firmave të deputetëve për të shtyrë përpara në seancë plenare për votim procedurën e rizgjedhjes së saj në një mandat të tretë si Inspektore e Përgjithshme e Banka e Shqipërisë.
Ekofin.al mëson se në këto kushte, pritet që Komisioni i Ekonomisë të shprehet zyrtarisht për situatën dhe t’i propozojë Kuvendit rishpalljen e vakancës.
Rrjedhimisht, pritet që Kuvendi i Shqipërisë të rihapë procedurën për shprehjen e interesit nga kandidatë të tjerë për pozicionin e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë, duke nisur nga e para procesin e aplikimit dhe shqyrtimit të kandidaturave.
Ky zhvillim e rikthen garën në pikën zero, ndërsa posti i Inspektorit të Përgjithshëm mbetet një nga funksionet kyçe për garantimin e kontrollit të brendshëm dhe integritetit institucional të Bankës Qendrore.
Në rastin e parë të hapjes së thirrjes, Merita Bejtja ishte kandidatja e vetme e vetëofruar për postin.
Gjatë paraqitjes së saj, Bejtja prezantoi eksperiencën shumëvjeçare në sistemin bankar, vizionin për forcimin e funksionit të auditimit të brendshëm dhe sfidat e hasura gjatë ushtrimit të detyrës që nga prilli i vitit 2015, kur u emërua për herë të parë në këtë pozicion. Ajo vjen me një përvojë që nis në vitin 1993, fillimisht në Bankën e Kursimeve dhe më pas në Bankën Kombëtare Tregtare dhe Raiffeisen Bank, ku ka mbajtur funksione drejtuese, përfshirë edhe atë të Drejtores Ekzekutive të Raiffeisen Leasing. /ekofin.al

