Kompania ajrore Air Albania nuk ka operuar asnjë fluturim që prej datës 7 dhjetor, sipas raportimeve të publikuara nga mediat ndërkombëtare. Të dhënat e FlightAware konfirmojnë se linjat e parashikuara drejt Milanos dhe Stambollit nga Aeroporti i Tiranës nuk janë kryer gjatë kësaj jave.
Sipas mediave ndërkombëtare, agjencitë turistike kanë konfirmuar se kompania nuk ka kryer asnjë fluturim që prej së shtunës, ndërsa pasagjerët me udhëtime tranzit ndërkontinentale përmes Stambollit janë ridrejtuar nëpërmjet Aeroportit të Prishtinës ose Podgoricës.
Ndërkohë që Air Albania nuk ka dalë me një njoftim zyrtar dhe nuk ka shpallur faliment, pasagjerët kanë raportuar anulime të papritura dhe mungesë komunikimi.
“Fatkeqësisht ndodhi më e keqja dhe fluturimi u anulua,” shkruan një udhëtar në Reddit, duke shtuar se zyrat e Air Albania në aeroport rezultonin të mbyllura.
Një tjetër udhëtar tregoi se fluturimi i tij drejt Tajlandës më 3 dhjetor, me tranzit në Stamboll, u anulua vetëm një orë para nisjes.
Air Albania u themelua në vitin 2018, me mbështetjen e Qeverisë shqiptare dhe një pjesëmarrje të konsiderueshme të Turkish Airlines, e cila zotëronte 49% të aksioneve. Por në nëntor të këtij, gjiganti turk i aviacionit njoftoi planet për të shitur këtë pjesë, duke e lënë Air Albania në kërkim urgjent të një investitori të ri.
Media ndërkombëtare AeroTime raporton se Turkish Airlines nuk dha arsye konkrete për largimin, ndërsa vetëm pak javë më parë kishte finalizuar një investim prej 300 milionë eurosh në kompaninë spanjolle low cost “Air Europa”.
Sipas mediave, deri të shtunën agjencitë turistike kanë mundur të rezervonin bileta të tranzitit përmes Turkish Airlines, ndërsa pas ndalimit të fluturimeve të Air Albania, edhe ky opsion është bllokuar.
Mediat ndërkombëtare i lidhin zhvillimet në Shqipëri në kontekstin e një viti 2025 me tronditje për aviacionin global. Gjatë këtij viti, disa linja ajrore europiane dhe amerikane shpallën faliment: Spirit Airlines – SHBA, falimentim i dytë (Chapter 11), gusht 2025; Ravn Alaska – ndërpreu operimet në gusht 2025; Corporate Air – falimentim për ristrukturim në shtator 2025; Play Airlines – Islandë, falimentim i menjëhershëm në shtator 2025; Braathens Airlines – Suedi, falimentim në shtator 2025.
Air Albania nuk ka dhënë asnjë deklaratë publike mbi statusin e operimeve dhe të fluturimeve të ardhshme. Ndërkohë, pasiguria mbetet e lartë për qindra pasagjerë me bileta të prenotuara gjatë dhjetorit, përfshirë periudhën festive. /ekofin.al
