Media online malazeze Vijesti.me i ka kushtuar vëmendje rritjes së fortë të trafikut në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, duke marrë si referencë raportimin e Ekofin.al mbi shifrat rekord të muajit prill. Një nga portalet më të mëdha të Malit të Zi ka pasqyruar të dhënat e publikuara nga TIA, duke theksuar se aeroporti shqiptar po vijon të jetë aeroporti me ritmet më të larta të rritjes në rajon dhe po shkon drejt një tjetër viti rekord.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës vijon ritmet e forta të rritjes edhe gjatë vitit 2026, duke regjistruar një tjetër muaj rekord për trafikun ajror. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga TIA, gjatë muajit prill aeroporti ka përpunuar 1,133,634 pasagjerë, me një rritje prej 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shkruan më tej Vijesti.
Rritja nuk është reflektuar vetëm te numri i udhëtarëve, por edhe te lëvizjet e avionëve. Në muajin prill u regjistruan 6,724 fluturime, ose 24% më shumë se një vit më parë, duke konfirmuar pozicionin e TIA-s si aeroporti me rritjen më të shpejtë në rajon. Nga fillimi i vitit deri në fund të prillit, aeroporti ka përpunuar gjithsej 3.29 milionë pasagjerë, me rritje vjetore 10%, ndërsa numri i lëvizjeve të avionëve ka arritur në 19,400.
Të dhënat tregojnë se Londra mbetet destinacioni më i frekuentuar nga pasagjerët që udhëtojnë nga dhe drejt Shqipërisë. Vetëm gjatë muajit prill në këtë linjë janë transportuar 102,688 pasagjerë, duke lënë pas destinacionet tradicionale italiane. Pas Londrës renditen Bergamo me 69,320 pasagjerë, Roma me 50,874, Brukseli me 46,450 dhe Bolonja me 46,100 pasagjerë. Po ashtu, trafik të lartë kanë regjistruar edhe Treviso me 42,507 pasagjerë, Pisa me 41,762, Stambolli me 38,325 dhe Milano me 35,510 pasagjerë.
Rritje të forta janë shënuar edhe në një sërë tregjesh të reja. Napoli ka regjistruar një zgjerim spektakolar me 329%, Torino me 194%, Praga me 112%, Bukureshti me 113%, Trieste me 107%, ndërsa Stokholmi, Varshava dhe Zyrihu kanë shfaqur gjithashtu rritje shumë të larta të trafikut.
Gjatë prillit, TIA ka operuar me 23 kompani ajrore, duke lidhur Shqipërinë me 87 destinacione në 28 vende të botës. Vetëm në këtë muaj janë realizuar 6,724 fluturime, duke reflektuar zgjerimin e vazhdueshëm të rrjetit ajror dhe rritjen e kërkesës për udhëtime drejt dhe nga Shqipëria.
Rritja e trafikut vjen paralelisht me investimet e vazhdueshme të Grupit Kastrati në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Pas zgjerimit të terminalit, shtimit të kapaciteteve operacionale dhe investimeve në teknologji e shërbime, TIA po vijon projektet për të përballuar fluksin gjithnjë në rritje të pasagjerëve. Objektivi është që aeroporti të ruajë ritmet e zgjerimit dhe të konsolidojë rolin e tij si një qendër referencë fluturimesh në Ballkanin Perëndimor, vlerëson media malazeze.

