Në një kohë kur turistët kërkojnë gjithnjë e më shumë destinacione autentike, me natyrë të paprekur dhe çmime të përballueshme, Shqipëria po shfaqet si një nga surprizat më të mëdha të turizmit veror në Evropë, shkruan Claudia Bohm në median gjermane “holidaycheck.de”.
E renditur mes vendeve të njohura si Turqia, Portugalia, Gjeorgjia apo Indonezia, ajo po fiton vëmendje si një alternativë më e qetë dhe më “e egër” e Mesdheut.
Me vijën e saj bregdetare që shtrihet përgjatë Adriatikut dhe Jonit, Shqipëria ofron një kombinim të rrallë mes plazheve të kristalta, gjireve të fshehura dhe peizazheve malore që zbresin deri në det.
Pikërisht kjo ndërthurje e bën vendin gjithnjë e më tërheqës për turistët që kërkojnë pushime larg destinacioneve të mbingarkuara.
Nga jugu i qetë me plazhe ende të paprekura, deri te qytetet bregdetare që po zhvillohen me ritëm të shpejtë, Shqipëria po konsolidohet si një nga “sekretet” e fundit të Mesdheut – një destinacion që ende ruan ndjesinë e zbulimit për herë të parë.
Media gjermane “holidaycheck.de” ka rekomanduar një listë të re destinacionesh, për pushimet verore 2026 – të cilat ofrojnë plazhe, natyrë dhe çmime të përballueshme, duke u bërë zgjedhje gjithnjë e më popullore, për turistët kudo në botë.
Shqipëria – “sekreti” i Adriatikut
Shqipëria po vlerësohet gjithnjë e më shumë si një destinacion ideal, për turistët, që kërkojnë pushime të lira pranë detit blu të Adriatikut, me natyrë të paprekur dhe plazhe ende jo të mbipopulluara.
Vija bregdetare ofron një përzierje plazhesh me rërë dhe guralecë, si dhe gjire të fshehura e të egra, të përshtatshme për ata që kërkojnë qetësi dhe natyrë të pastër.
Një prej shembujve më të përmendur është plazhi i Borshit, i cili mbetet një nga zonat më të paprekura, ku vizitorët mund të shijojnë detin dhe natyrën pa fluksin e turizmit masiv.
Për familjet dhe çiftet që kërkojnë më shumë gjallëri, Saranda cilësohet si një nga zgjedhjet më të mira.
Qyteti ofron një kombinim mes turizmit të zhvilluar dhe atmosferës ende të qetë, me bare, restorante dhe plazhe të përshtatshme për fëmijë.
Veçanërisht i veçantë është bregdeti me pjerrësi të butë, që e bën më të sigurt për familjet me fëmijë të vegjël.
Perëndimet e diellit në Sarandë, përshkruhen si magjike dhe mbresëlënëse, duke e kthyer këtë destinacion në një zgjedhje ideale si për pushime familjare, ashtu edhe për çifte që kërkojnë qetësi dhe peizazhe autentike.

