Me nisjen e verës dhe me rritjen e ankesave të qytetarëve, duket se task forcat e ujësjellësave “janë kujtuar” për lidhjet e paligjshme të ujit. Në të gjithë vendin vijon aksioni kundër informalitetit dhe lidhjeve të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit.
Këtë e ka njoftuar Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në rrjetet sociale të dhënat e deritanishme të këtij aksioni kundër paligjshmërisë në rrjetin e ujësjellësit.
“Asnjë tolerim për këdo që abuzon”, theksoi Balluku.
Deri tani Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve dhe Shoqëritë Rajonale të Ujësjellës Kanalizimeve kanë evidentuar 5508 subjekte në shkelje, 614 matësa jashtë kushteve teknike, 397 ndërprerje të shërbimit dhe 70 denoncime të raportuara.
Në terren janë 60 grupe dhe qëllimi kryesor është ligjshmëria e furnizimit të subjekteve me ujë dhe kontrolli i planeve të tyre tarifore. Në fokus janë kryesisht bizneset në zonat turistike. Aksioni po kryhet në bashkëpunim me forcat e Policisë së Shtetit.
