Më shumë qytetarë i janë drejtuar shërbimit shëndetësor për vitin 2024. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, sasia e realizuar për vitin 2024, është 7,302,745 vizita kundrejt 6,725,000 të parashikuara, me një kosto prej 197 lekë/vizitë.
Gjatë vitit 2024 nga kontributet shëndetësore qendrat shëndetësore janë financuar në shumën 11.4 miliardë lekë, ose 98% e planit. Krahasuar me vitin e mëparshëm 2023, QSH u financuan në masën 110%, ose 1 miliard lekë më shumë.
Lidhur me trajtimin e pacientëve me barna të listës së rimbursueshme, sasia e realizuar për vitin 2024 është 385,075 pacientë kundrejt 400,000 të parashikuar, me një kosto prej 7,536 lekë/pacientë.
Për rimbursimin e barnave të listës janë shpenzuar (paguar) rreth 12 miliardë lekë, me një realizim plani 100%.
Për vitin 2024, sipas analizës statistikore të vlerave të pranuara të rimbursimit të barnave janë pranuar listëtregues të rimbursimit të barnave në vlerën 8.18 miliardë lekë, ose 36 milionë lekë (0.4%) më shumë se viti i kaluar.
Për rimbursimin e fishave të diabetit janë shpenzuar (paguar) 147.2 milionë lekë nga 189.2 milionë lekë të planifikuara, ose 78% e planit (rreth 42 milionë lekë të pashpenzuara).
Sa i përket rimbursimit të fishave të diabetit, me VKM 492, datë 24.07.2024 përfituan përveç personave me Diabet Mellitus të grupmoshës 0-25 vjeç dhe ≥ 65 vjeç, edhe invalidët e punës dhe personat me aftësi të kufizuar.
Gjatë vitit 2024 kanë përfituar nga fishat e diabetit 57,511 pacientë, ose 2,119 më shumë nga viti 2023.
Gjatë vitit 2024 kanë përfituar nga lista e barnave të rimbursueshme 385,075 pacientë, ose 2,619 më shumë nga viti 2023.
