Të dhënat më të fundit të INSTAT për periudhën T2 2023 – T2 2025 tregojnë një ndryshim të qartë në shpërndarjen e pagave në Shqipëri. Brenda dy vitesh, numri i punonjësve që paguhen me paga minimale apo shumë të ulëta ka rënë ndjeshëm, ndërsa është rritur dukshëm pesha e atyre që marrin paga mesatare dhe të larta.
Paga minimale me rënie drastike
Në T2 2023, rreth 30,6% e të punësuarve paguheshin me paga deri në pagën minimale, ndërsa në T2 2025 kjo shifër ka rënë në vetëm 12,4%. Ky ndryshim i fortë është i lidhur me rritjen graduale të pagës minimale kombëtare, por edhe me formalizimin që ka zhvendosur një pjesë të madhe të punonjësve në grupe më të larta page.
Edhe segmenti i pagave 40.001 – 50.000 lekë ka pësuar rënie: nga 18,2% në T2 2023 në 22,5% në T2 2024, për të zbritur më pas në 22,2% në T2 2025. Nëse i marrim së bashku këto dy grupe (deri në 50 mijë lekë), ato përfaqësonin gati gjysmën e punësuarve (48,8%) në T2 2023, ndërsa sot janë vetëm 34,6%.
Paga mesatare: shtresa kryesore e tregut
Në segmentin 50.001 – 60.000 lekë, pesha ka mbetur pothuajse e qëndrueshme, rreth 9%. Ndërkohë, grupi më i madh mbetet ai i punonjësve me 60.001 – 95.000 lekë, që luhatet nga 25-27%, duke përfaqësuar shtresën mesatare më të konsoliduar në tregun e punës.
Rritja e pagave në sektorin publik
Shifrat tregojnë një zhvendosje të qartë drejt pagave më të larta ku punonjësit me 95.001 – 120.000 lekë janë rritur nga 7% në T2 2023 në 13% në T2 2025, ndërsa ata me paga mbi 120.000 lekë kanë kaluar nga 8,8% në T2 2023 në 14,1% në T2 2025. Në këtë segment ka ndikuar kryesisht rritja e pagave në publik.
Në total, punonjësit me paga mbi 95 mijë lekë sot përfaqësojnë 27,1% të tregut të punës, kundrejt vetëm 15,8% dy vite më parë.
Një treg pune në transformim
Këto të dhëna tregojnë një ndryshim strukturor në tregun e punës. Nga një treg i dominuar nga paga minimale dhe shumë të ulëta, Shqipëria po kalon drejt një shpërndarjeje më të balancuar. Pesha e punonjësve me paga të ulëta (deri 50 mijë lekë) është tkurrur ndjeshëm, por përsëri ajo mbetet dominuese.
Ndërkohë, segmenti me paga më të larta po rritet me ritme të shpejta, duke reflektuar rritjen e pagave në publik, formalizimin dhe konkurrencën e biznesit për të mbajtur punonjësit më të kualifikuar. /ekofin.al

