Shqipëria do të jetë më shumë se kurrë afër qytetarëve britanikë, të cilët duan të kalojnë pushimet në vendin tonë. Kompania Ryanair, e njohur për tarifat e saj të ulëta në çdo cep të kontinentit europian, ka njoftuar se po zgjeron një nga linjat e saj më të reja.
Me linjat e reja ajrore britanikët do të mund të shkojnë në atë që njihet ‘Maldivet e Evropës’, duke nisur nga 20 £, shkruan media “Ladbible”.
Edhe në pikun e verës, qytetarët britanikë mund të shkojnë me vetëm 70 £.
“Është një vend shumë emocionues dhe një vend ku ne do të forcohemi“, shprehet shefi ekzekutiv i kompanisë, Michael O’Leary.
‘Maldivet e Evropës’ i referohet qytezës së Ksamilit në vijën bregdetare shqiptare. Në Ksamil turistët e huaj do të gjejnë plazhe me rërë të bardhë, ujëra të kristaltë dhe një copëz parajse natyrore falë 3 ishujve të njohur.
Një qytetare britanike që vizitoi së fundmi qytezën tregoi për këtë media se sa i kushtoi akomodimi në këtë destinacion.
“Ne kemi rezervuar një apartament me dy dhoma gjumi për vetëm 190 £ për gjashtë netë”, shprehet ajo.
Ksamili nuk ndodhet larg Tiranës. Nga aeroporti mund të duhet 4 orë për të shijuar plazhet e mrekullueshme të qytezës.
