Ministria e Arsimit ka urdhëruar mbylljen e veprimtarisë së shkollës private të arsimit bazë “Miqësia” dhe të kopshtit me të njëjtin emër në Shkodër. Dy urdhrat, të firmosur më 23 shtator 2026 nga zëvendësministrja e Arsimit, Orjana Osmani, janë botuar sot në Fletoren Zyrtare dhe hyjnë në fuqi menjëherë.
Sipas urdhrit nr. 474, mbyllja e shkollës “Miqësia”, që funksiononte si institucion privat parauniversitar i nivelit të arsimit bazë, bëhet me kërkesë të vetë subjektit juridik “Shkolla jopublike Miqësia” sh.p.k. Kërkesa për mbylljen mban datën 3 gusht 2026. Shkolla ishte licencuar që prej vitit 2002.
Vendimi parashikon një sërë detyrimesh për institucionin pas mbylljes. Shkolla duhet t’u kthejë prindërve ose përfaqësuesve ligjorë pagesat e kryera për pjesën e papërfunduar të shkollimit, si dhe të shlyejë çdo detyrim tjetër të papërmbushur, nëse ka. Gjithashtu, çdo nxënës duhet të pajiset me dokumentacionin e nevojshëm shkollor për t’u transferuar në një institucion tjetër arsimor.
Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Shkodër duhet të ngrejë, brenda tre ditëve nga hyrja në fuqi e urdhrit, një grup pune për procedurat e mbylljes. Njëkohësisht, zyra duhet të marrë masa për transferimin e të gjithë nxënësve të regjistruar në shkollën “Miqësia” drejt institucioneve të tjera të arsimit parauniversitar dhe të administrojë dokumentacionin e veprimtarisë mësimore.
Me urdhrin shfuqizohet edhe leja e funksionimit që shkolla kishte marrë më 18 qershor 2002.
Në të njëjtën ditë është firmosur edhe urdhri nr. 475 për mbylljen e kopshtit privat “Miqësia”, në pronësi të të njëjtit subjekt juridik. Edhe në këtë rast, vendimi është marrë pas kërkesës së subjektit të depozituar më 3 gusht 2026. Kopshti kishte marrë lejen e funksionimit në janar të vitit 2008.
Edhe për kopshtin parashikohet kthimi i pagesave të bëra nga prindërit për pjesën e papërfunduar të arsimit parashkollor dhe shlyerja e detyrimeve të tjera të mundshme. Institucioni duhet gjithashtu t’i dorëzojë Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar Shkodër dokumentacionin e plotë të aktivitetit të tij.
Zyra Vendore e Arsimit duhet të krijojë brenda tre ditëve grupin e punës për mbylljen e kopshtit dhe të marrë në administrim dokumentacionin përkatës. Procesi do të monitorohet nga Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar dhe Drejtoria Rajonale Arsimore Parauniversitare Lezhë.
Në rast se shkolla ose kopshti nuk përmbushin detyrimet e përcaktuara në urdhrat e mbylljes, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Shkodër ngarkohet të marrë masat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
Dy urdhrat mbyllin kështu aktivitetin e strukturave arsimore “Miqësia”, ndërsa për shkollën parashikohet posaçërisht që procesi të shoqërohet me transferimin e nxënësve dhe garantimin e dokumentacionit të nevojshëm për vijimin e arsimit në institucione të tjera. /ekofin.al
