Është publikuar në Fletore Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi ligji që parashikon mbylljen përfundimtare të Agjencisë për ofrimin e shërbimeve publike në sportel, ADISA.
Mbyllja e ADISA-s, si pasojë e shfuqizimit të ligjit nr. 13/2016, “Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në Republikën e Shqipërisë”, do të shoqërohet me zgjidhjen e kontratave të punës të punonjësve të saj, sipas parashikimeve të dispozitave të Kodit të Punës, duke u paguar atyre të gjitha detyrimet e parashikuara nga dispozitat e tij për punonjësit në rrethanat përkatëse, sipas rastit.
Pasuritë e paluajtshme, aktualisht në përgjegjësi administrimi të ADISA-s, konkretisht në Fier, Krujë, Elbasan, Lushnjë dhe Gjirokastër, së bashku me të gjitha të drejtat dhe detyrimet e tjera që lidhen me to, në përputhje me legjislacionin në fuqi, i kalojnë në përgjegjësi administrimi Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Dy automjete tip “Toyota”, me targa AA 043 PL dhe AA 046 PL, do të kalojnë në përgjegjësi administrimi tek Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC); ndërsa dy të tjera të markës SKODA Yeti me targa (AA 539 NN) dhe furgoni me targa (AA 953 XM), do t’i kalojnë në përgjegjësi administrimi Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), sipas inventarëve përkatës.
Efekti financiar, sipas këtij vendimi, përballohet nga fondet e parashikuara për ADISA-n në ligjin “Për buxhetin e shtetit të vitit 2024”, të ndryshuar. Fondet e mbetura të papërdorura rikthehen në buxhetin e shtetit./ekofin.al
