Aktiviteti i akomodimit përmes platformave online vijon të zgjerohet me ritme të shpejta në Shqipëri, duke u kthyer në një burim të rëndësishëm të ardhurash për individët dhe bizneset, por edhe në fokus të shtuar të Administratës Tatimore.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës janar–dhjetor 2024, në total 8,472 individë dhe subjekte kanë realizuar shitje përmes platformës Airbnb në vend. Vlera totale e rezervimeve ka arritur në 3,816,021,288 lekë, ndërsa komisionet e përfituara nga platforma kanë qenë në nivelin e 167,591,014 lekëve.
Këto tregues pasqyrojnë rritjen e vazhdueshme të ekonomisë së platformave në sektorin e turizmit, ku dhënia me qira afatshkurtër po fiton terren si alternativë ndaj strukturave tradicionale të akomodimit. Në të njëjtën kohë, kjo rritje po shoqërohet me nevojën për formalizim dhe deklarim të saktë të të ardhurave.
Administrata Tatimore bën të ditur se disponon të dhëna të detajuara mbi rezervimet dhe të ardhurat e realizuara përmes Airbnb, duke u bërë thirrje të gjithë individëve dhe subjekteve që ushtrojnë këtë aktivitet të deklarojnë të ardhurat në Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA 2025), në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Apeli vjen në prag të afatit përfundimtar të deklarimit, që është 31 mars 2026, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se mosdeklarimi i të ardhurave mund të çojë në kontrolle dhe penalitete.
Zgjerimi i këtij tregu, i lidhur ngushtë me rritjen e turizmit në vend, po e shtyn administratën të rrisë kapacitetet e monitorimit dhe të forcojë mekanizmat për mbledhjen e të ardhurave tatimore nga ekonomia digjitale.
Ndërkohë, Administrata Tatimore publikoi më herët edhe të dhëna të detajuara mbi aktivitetin e realizuar përmes platformës Booking.com, duke sinjalizuar të njëjtën qasje të shtuar monitorimi. Sipas të dhënave për periudhën janar – shtator 2025, rezulton se 17,225 individë dhe subjekte kanë realizuar shitje përmes kësaj platforme, me një vlerë totale rezervimesh prej 80,122,524 euro dhe komisione që arrijnë në 12,858,004 euro. /ekofin.al
