Aeroporti i Rinasit ka vijuar të konsolidojë pozicionin e tij si një pol i rëndësishëm rajonal, me rritje të qëndrueshme të numrit të pasagjerëve edhe gjatë këtij viti.
Zëvendëskryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se numri i pasagjerëve që kanë kaluar përmes Aeroportit të Rinasit, gjatë periudhës janar-gusht shënoi rritje me 9%, duke arritur në më shumë se 7,8 milionë pasagjerë.
Balluku bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe u realizuan 42 462 fluturime me një rritje prej 2% krahasuar me 8-mujorin e 2024.
Nga Tirana u fluturua drejt 137 destinacioneve, duke shënuar kështu zgjerim të mëtejshëm të lidhjeve direkte dhe duke ndikuar edhe në rritjen e numrit të turistëve në vendin tonë.
Ndërkohë, referuar shifrave të publikuara nga Zv.kryeministrja, data 11 gusht theu edhe rekordin e procesimit të pasagjerëve në një ditë të vetme, duke arritur në 53,076 pasagjerë.
Vitin e kaluar, mbi 10 milionë pasagjerë përdorën Aeroportin e Rinasit për të fluturuar, ndërkohë që drejtuesit e TIA kanë vendosur për këtë vit shifrën ambicioze të 12 milionë pasagjerëve. Aeroporti vijon ndërkohë investimet, me zgjerimin e pistës, parkingun e ri dhe përmirësime të mëtejshme të infrastrukturës. /ekofin.al


