Shpenzimet për fishat e diabetit kanë vijuar të rriten gjatë vitit 2025, ndërsa numri i pacientëve që përfitojnë nga kjo paketë ka kaluar mbi 60 mijë persona. Të dhënat e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor tregojnë se gjatë vitit 2025 janë rimbursuar rreth 161.4 milionë lekë për fishat e diabetit, nga një plan total prej 162.5 milionë lekësh, ose 99.3% e fondit të planifikuar.
Paketa e fishave të diabetit nisi fillimisht në vitin 2018 vetëm për grupmoshën 0-18 vjeç, më pas u zgjerua për moshat 18-25 vjeç dhe nga viti 2023 përfshiu edhe diabetikët mbi 65 vjeç. Ndërkohë, nga gushti 2024, skema u zgjerua edhe për invalidët e punës dhe personat me aftësi të kufizuar të grupmoshës 25-65 vjeç.
Sipas raportit, gjatë vitit 2025 kanë përfituar gjithsej 60,482 pacientë, nga 57,511 pacientë që ishin në vitin 2024. Kjo do të thotë se numri i përfituesve është rritur me 2,971 pacientë brenda një viti. Pjesa dërrmuese e përfituesve, 58,290 persona ose rreth 96.4% e totalit, i përkasin kategorisë së diabetikëve mbi 65 vjeç.
Në total gjatë vitit 2025 u përshkruan 214,521 receta për fishat e diabetit. Barrën më të madhe të recetave dhe shpenzimeve e mbajti Tirana, me 54,536 receta dhe rreth 45.7 milionë lekë shpenzime të rimbursuara. Pas Tiranës renditen Durrësi me 27,720 receta dhe rreth 16 milionë lekë shpenzime, Elbasani me 18,652 receta dhe 14.4 milionë lekë, si dhe Fieri me 16,853 receta dhe rreth 11.8 milionë lekë të rimbursuara.
Korça rezulton një nga qarqet që e ka tejkaluar lehtë planin e miratuar, me realizim 100.4%, ndërsa Saranda dhe Lushnja regjistruan realizim mbi 100%, respektivisht 101.3% dhe 100.3%. Nga ana tjetër, realizimin më të ulët e ka Tropoja, me 96.3% të planit vjetor.
Zgjerimi i skemës së mbulimit për kategori të reja pacientësh dhe rritja e numrit të diabetikëve kanë ndikuar drejtpërdrejt në shtimin e shpenzimeve dhe të numrit të recetave për fishat e diabetit gjatë vitit 2025, përfundon raporti./ekofin.al

