Aeroporti i Rinasit vijon rritjen e qëndrueshme të numrit të pasagjerëve gjatë këtij viti, duke arritur në mbi 5.1 milionë pasagjerë në 6 muajt e parë. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë muajit qershor 2025, përmes aeroportit të Rinasit kanë fluturuar 1,147,866 pasagjerë, sërish një shifër në rritje krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kur u regjistruan 1,065,528 pasagjerë.
Në total, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, janë shërbyer mbi 5.1 milionë pasagjerë, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të vitit 2024 ky numër ishte 4,788,895, duke reflektuar një rritje të qëndrueshme dhe të vazhdueshme të fluksit ajror me rreth 7%.
Në këtë periudhë janë operuar 6,830 fluturime, që kanë lidhur Shqipërinë me 31 shtete të ndryshme të botës. Destinacionet më të kërkuara vazhdojnë të jenë qytetet italiane si Milano, Roma, Bologna dhe Venecia, ndërsa në krye të listës për Mbretërinë e Bashkuar qëndron Londra.
TIA vijon të konsolidohet si një nga aeroportet me rritjen më të shpejtë në rajon, duke reflektuar jo vetëm rritjen e interesit për Shqipërinë si destinacion turistik, por edhe përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës dhe shërbimeve aeroportuale./ekofin.al

