Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, pesha e portofolit të kredive në valutë ndaj totalit të kredive nuk ka shënuar ndryshime të rëndësishme.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vlera e treguesit rezultoi 45.2% në fund të qershorit 2025, ose 0.1 pikë përqindjeje më pak se në fund të dhjetorit 2025 dhe 0.4 pikë përqindjeje më pak se një vit më parë. Gjatë kësaj periudhe, kreditë në valutë shënuan rritje, por rritja në tepricën e përgjithshme të kredisë ishte disi më e lartë, si pasojë e rritjes më të shpejtë të kredisë në lekë. Në terma gjashtëmujorë, vlera e kredive në valutë (numëruesi) ka shënuar rritje me 7.6% dhe, në terma vjetorë, ajo ka shënuar rritje me 11.5%. Ndërkohë, për të njëjtat periudha, totali i kredive ka shënuar rritje përkatësisht 7.8% dhe 12.5%.
Treguesi i kredive në valutë në raport me totalin e kredive ka shënuar rënie në 7 bankat e sektorit për periudhën dhe në 6 prej bankave në terma vjetore. Krahasuar me fundin e dhjetorit 2016, ky tregues është ulur për 10 nga 11 bankat e sektorit, në madhësi të ndryshme.
Nga ana tjetër, teprica e kredive në valutë të pambrojtura nga kursi i këmbimit, ku kreditë në euro zënë rreth 96%, ka shënuar rënie të mëtejshme të peshës së saj ndaj totalit të kredive në valutë. Në fund të qershorit 2025, këto kredi shënuan 22.8% të kredive në valutë, ose 10.4% të totalit të kredisë.
Në terma absolutë, rënia e kredive të pambrojtura ndaj kursit të këmbimit ishte me 0.2%, krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm, dhe me 6%, krahasuar me një vit më parë. Kreditë e ekspozuara ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, domethënë rastet kur të ardhurat e subjektit huamarrës janë në monedhë të ndryshme nga monedha e dhënies së kredisë, janë ato me profilin më të lartë të rrezikut. Për këtë arsye, ky tregues mbart një rëndësi të veçantë në monitorimin e masave të uljes së euroizimit.
Në nivel bankash, treguesi shfaqet në përmirësim (rënie) për 8 nga 11 bankat e sektorit. Sipas të dhënave konstatohet që më shumë se gjysma e bankave kanë një vlerë të treguesit nën mesataren e thjeshtë të sektorit prej 29.9%./ekofin.al
