Investimet e huaja direkte në Shqipëri vijojnë të konfirmojnë zhvendosjen strukturore drejt sektorëve jo-prodhues, ku pasuritë e paluajtshme dominojnë qartësisht portofolin e investimeve për vitin 2025, duke rritur ndjeshëm peshën e tyre në total.
Sipas të dhënave të BSH, fluksi total i investimeve direkte (ID-detyrime) arriti në rreth 1.63 miliardë euro në 2025, nga 1.58 miliardë euro në 2024, duke reflektuar një rritje të mëtejshme vjetore, por me ndryshime të forta në përbërjen sektoriale.
Në këtë strukturë, aktivitetet e pasurive të paluajtshme (real estate) rezultojnë sektori dominues. Në vitin 2024, ky sektor përthithi rreth 379 milionë euro, ose rreth 24% të totalit të investimeve. Ndërsa në vitin 2025, investimet në këtë sektor u rritën në rreth 561 milionë euro, duke arritur në afërsisht 34.3% të totalit. Pra, brenda një viti, pesha e pasurive të paluajtshme është rritur me më shumë se 10 pikë përqindje, duke u bërë qartësisht sektori kryesor i kapitalit të huaj në ekonomi.
Ky dominim është reflektuar edhe në çdo tremujor të vitit 2025, ku flukset në këtë sektor janë rritur progresivisht dhe kanë arritur kulmin në tremujorin e katërt me mbi 157 milionë euro.
Në kontrast, sektorët tradicionalë të prodhimit dhe industrisë kanë shfaqur dobësim. Industria nxjerrëse ka rënë ndjeshëm (nga rreth 213 mln € në 2024 në rreth 160 mln € në 2025). Industria përpunuese gjithashtu ka pësuar tkurrje (nga rreth 173 mln € në 2024 në rreth 107 mln € në 2025).
Edhe sektori i energjisë, megjithëse relativisht i qëndrueshëm, nuk ka arritur të kompensojë rritjen e fuqishme të real estate.
Ndërkohë, disa sektorë shërbimesh kanë shfaqur zhvillime pozitive. Aktivitetet financiare dhe sigurimet mbeten një nga kontribuuesit më të mëdhenj, me rreth 291 mln € në 2025, por me një rritje më të moderuar. Tregtia ka shënuar një rritje të dukshme, veçanërisht në tremujorin e tretë 2025. Ndërtimi ka pasur një rritje të fortë në gjysmën e dytë të vitit, duke reflektuar lidhjen direkte me boom-in e pasurive të paluajtshme.
Në tërësi, analiza sektoriale tregon një polarizim të investimeve drejt pasurive të paluajtshme dhe aktiviteteve të lidhura me to, ndërkohë që sektorët produktivë po humbasin terren relativ. Kjo strukturë ngre pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë afatgjatë të rritjes ekonomike, pasi orientimi i kapitalit drejt real estate rrit varësinë nga ciklet e tregut të pronave dhe nga flukset e jashtme spekulative, në vend të zgjerimit të bazës prodhuese të ekonomisë. /ekofin.al
